Transformimi i heshtur i FSK-së

Në pamundësi të ndryshimeve kushtetuese për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, autoritetet në Prishtinë i kanë shtuar përpjekjet që t’i rrisin sa më shumë kapacitetet ekzistuese të FSK-së.

Lajme

19/07/2018 13:58

Ndryshimet kushtetuese janë të domosdoshme që FSK nga një force e reagimeve emergjente të shndërrohet në një Forcë me kapacitete dhe mision ushtarak apo mbrojtës. Por, këto ndryshime aktualisht po i mbajnë peng deputetët e komunitetit serb, pa shumicën e votave të të cilëve, amendamentimet kushtetuese janë të pamundshme.

Qëndrimi i deputetëve serbë është në harmoni me politikën aktuale të Beogradit, e cila e kundërshton formimin e Ushtrisë së ardhshme të Kosovës.

Zyrtarët në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, thonë se po punohet në vazhdimësi në procesin e transformimit të kësaj Force. Ata thonë se shndërrimin i FSK-së në Forca të Armatosura duhet të bëhet sa më parë, pasi që sipas tyre, tashmë janë arritur kapacitetet e duhura.

Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku tha për Radion Evropa e Lirë se transformimi i heshtur është një proces që është duke u zhvilluar.

“Vazhdimisht FSK-ja është në procesin e ngritjes së kapaciteteve të veta, duke pasur parasysh misionin e ardhshëm si ushtri e vendit tonë. Kështu që edhe pajisjet e reja, dhe çdo gjë që bëhet në FSK, si pajisje, trajnim, ushtrim fushor, bëhen për ngritjen e kapaciteteve që i nevojiten FSK-së”.

“Kapacitete për misionin aktual i ka përmbushur në vitin 2013 dhe këtë e ka deklaruar edhe vet Këshilli veri-atlantik i NATO-s. Që nga ajo kohë ne jemi vazhdimisht duke u përgatitur për misioni e ri, misionin ushtarak për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës si çdo ushtri e çdo vendi normal”, tha Çeku.

Ai tha se FSK-ja edhe sot mund të konsiderohet si ushtri e Kosovës, ndonëse do të nevojiten ndryshime kushtetuese e ligjore, që të ndryshojë emrin, por edhe misionin, për çka edhe po punohet gjatë procesit të transformimit.

“De fakto Kosova e ka ushtrinë e vet, e kjo është FSK-ja sot. Ne si FSK veprojmë si ushtri, ne dukemi si ushtri, ne ndihemi si ushtri dhe njihemi nga të tjerët si ushtri. Kështu që ky transformimi apo tranzicion është duke ndodhur dhe FSK-ja krejt punën e vet e ka dhe e zhvillon në këtë drejtim për ta arritur këtë synim”, tha Çeku.

Kurse, njohësi i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Naim Maloku, thekson se në FSK, janë ngritur aftësitë operacionale dhe mundësitë nga pajisja me disa mjete, por siç thotë ai, nuk mund të ketë marrje të përgjegjësive shtesë pa ndryshime kushtetuese.

Ai e ka vlerësuar pozitivisht nënshkrimin e kontratës në mes të kompanisë amerikane AM General dhe Qeverisë së Kosovës, për pajisjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës me 51 automjete të tipit Humvee.

“Janë pajisje jashtëzakonshme moderne, të nivelit të lartë ato që janë pranuar këto ditë në FSK. Është për t’u falënderuar ai donacion i Shteteve të Bashkuar të Amerikës”, thotë Maloku.

Forca e Sigurisë së Kosovës është forcë e reagimeve të shpejta për emergjenca dhe nuk ka mision mbrojtës. Për ndryshimin e këtij misioni, Maloku thotë se do të nevojiten ndryshime kushtetuese e ligjore, por të cilat nuk mund të bëhen pa miratimin e deputetëve nga komuniteti serb në Kuvendin e Kosovës.

“Mirë është që NATO është këtu dhe e ka përgjegjësinë për tërësinë territoriale të Kosovës. Ne nuk kemi kapacitet për ta marrë atë përgjegjësi dhe me këta hapa që mendojnë ata që po bëhet ushtria, kështu edhe 30 vjet nuk bëhet, nuk aftësohet FSK-ja për t’i marr përgjegjësit që ka NATO për Kosovën”, tha Maloku.

Ai tha po ashtu se gjithçka që është duke ndodhur aktualisht brenda Forcës së Sigurisë, si në trajnime, furnizime me pajisje apo ushtrime, bëhet në kuadër të kornizë ligjore për FSK-në.

Zyrtarët e NATO-s dhe partnerët ndërkombëtarë kanë shprehur qëndrimin se transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, duhet të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese, të cilat deri më tash janë refuzuar nga përfaqësuesit politikë të serbëve në Kuvendin e Kosovës. Autoritetet e Kosovës kanë theksuar se në rast se ky refuzim i ndryshimeve kushtetuese vazhdon nga përfaqësuesit politikë të serbëve, në një moment të caktuar do të jenë të detyruar që ta mandatojnë Ushtrinë e Kosovës me ligj.

Autoritetet e Kosovës, në vazhdimësi kanë deklaruar se Forcat e Armatosura të Kosovës, në të ardhmen, do të jenë faktor i stabilitetit brenda për brenda Kosovës dhe për rajonin, ndërkohë që autoritetet e Serbisë i shohin këto forca si të rrezikshme për paqen dhe si faktor i destabilitetit në rajon.

Megjithatë, zyrtarët e NATO-s dhe partnerët ndërkombëtarë kanë shprehur qëndrimin se transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, duhet të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese, të cilat deri më tash janë refuzuar nga përfaqësuesit politikë të serbëve në Kuvendin e Kosovës.

Autoritetet e Kosovës kanë theksuar se në rast se ky refuzim i ndryshimeve kushtetuese vazhdon nga përfaqësuesit politikë të serbëve, në një moment të caktuar do të jenë të detyruar që ta mandatojnë Ushtrinë e Kosovës me ligj.

Forca e Sigurisë së Kosovës është një forcë shumetnike, e uniformuar dhe e pajisur me armatim të lehtë. FSK-ja është themeluar në vitin 2009, sipas Planit Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës, të presidentit Marti Ahtisaari, në bazë të së cilit ishte shpallur pavarësia e Kosovës. FSK-ja numëron më shumë se 2000 pjesëtarë, prej të cilëve 200 u përkasin komuniteteve pakicë, kurse 100 ishin nga komuniteti serb.