Veseli: Shoqëria civile, partner produktiv i institucioneve publike

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, në një aktivitet të organizuar nga KDI-ja, ka thënë se shoqëria civile, në të gjitha proceset e shtetndërtimit dhe demokratizimit të vendit tonë, ka qenë partner produktiv i institucioneve publike dhe partive politike.

Lajme

16/05/2018 12:57

Shembull i këtij partneriteti në Kuvendin e Kosovës, sipas Veselit, është puna e  Institutit Demokratik të Kosovës, në vazhdën e të cilit është edhe ky aktivitet.

Kryetari i Kuvendit tha se projektet e KDI-së janë një vlerë e shtuar në kulturën e parlamentarizmit kosovar.

“Kur e them këtë kam parasysh faktin se këto projekte ka ndikuar në avancimin e standardeve themelore të punës së Kuvendit. Ato kanë ndikuar pozitivisht në  rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së Kuvendit para publikut. Monitorimi i procesit të hartimit të ligjeve, ka ndikuar pozitivisht në ngritjen e cilësisë së tyre,

Informimi i qytetarëve me procesin legjislativ, është parakusht që të rritet pjesëmarrja dhe ndikimi i tyre në këtë proces”, theksoi Veseli.

Kreu i Kuvendit shtoi se edukimi demokratik e fuqizon qytetarin, e bën më proaktiv dhe me kërkues në raport me përfaqësuesit e tij. Kjo platformë që po prezantohet sot, sipas tij, është në frymën e këtij kontributi për avancimin e demokracisë sonë përfaqësuese.

Kryeparlamentari Veseli tha se Kuvendi i Kosovës ka nevojë për syrin kritik të shoqërisë civile, për këshillat, idetë dhe asistencën e saj profesionale.

“Duke forcuar dhe avancuar standardet demokratike të qeverisjes, ne përshpejtojmë rrugën e integrimeve evropiane të vendit tonë. Duke forcuar dhe avancuar standardet demokratike të qeverisjes, ne krijojmë kushtet e domosdoshme për zhvillimin ekonomik të vendit dhe ngritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve. Qytetaria dhe mirëqenia janë binom i pandashëm”, tha në fjalën e tij kryeparlamentari Veseli. /Lajmi.net/