Deklarohet e pafajshme për keqpërdorim detyre inspektorja e licencimit në ATK

Violeta Januzi, inspektore e licencimit në departamentin e lojërave të fatit në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), është deklaruar e pafajshme për keqpërdorim të pozitës apo autoriteti zyrtar, në seancën fillestare të mbajtur të enjten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Lajme

15/02/2018 21:29

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurores Dulina Hamiti, Januzi është deklaruar se nuk e ndien veten fajtor për akuzën e prokurorisë.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Naime Krasniqi –Jashanica njoftoi të akuzuarën dhe mbrojtësin e saj, avokatin Ramiz Krasniqi, që brenda afatit prej 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kërkesën për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Ndryshe, në këtë shqyrtim gjyqësor, prokurorja Hamiti ka deklaruar se në nëntor të vitit 2017, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka pranuar shkresë zyrtare për kompetencë territoriale nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, e cila ia ka dorëzuar lëndën prokurorisë në Prishtinë.

Këtë deklarim të prokurores e ka kundërshtuar mbrojtësi i të akuzuarës, avokati Ramiz Krasniqi.

“Vet titulli i shkresës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit thotë që ti dërgohet kjo lëndë Prokurorisë Themelore në Prishtinë në kompetencë territoriale. Sipas dispozitave ligjore kompetencë territoriale është vendi ku është kryer vepra penale. Vepra penale pretendohet se është kryer në bastoren “Xhoilloto” në Prizren. Nuk mund të përcaktohet kompetenca në bazë të selisë së vendit të punës së administratës tatimore. Unë mendoj se prokuroria në Prishtinë është vënë në lajthim nga prokuroria e Prizrenit. Më vjen keq për pakujdesinë e prokuroreve të cilët vazhdimisht na ankohen se kanë shumë lëndë, por, nuk pritojnë ti marrin lëndët e prokurorive tjera”, tha avokati Krasniqi.

I njëjti i propozoi gjykatës që kjo lëndë së bashku me aktakuzën t’i dërgohet  Gjykatës Themelore në Prizren.

Këtë propozim e kundërshtoi gjykatësja Krasniqi-Jashanica, e cila caktoi seancën e radhës me 22 mars 2018, në ora 10:30.

Sipas prokurorisë, Violeta Januzi në cilësinë e inspektores së licencimit në departamentin e lojërave të fatit pranë Administratës Tatimore të Kosovës në Prishtinë, ka tejkaluar autorizimet e saj dhe ka keqpërdorur pozitën zyrtare.

Sipas aktakuzës, Januzi me 12 nëntor 2015 pasi që kishte dhënë shënim për aktivitet për lokalin dhe lokalet tjera e bastorës “Xhoiloto”, në Prizren, kishte konstatuar se ky subjekt afarist i plotëson kriteret e bastores për tu licencuar, dhe duke mos shkuar në vendin e ngjarjes, e pajis këtë subjekt me leje për ushtrimin e veprimtarisë.

Januzi këtë veprim, sipas aktakuzës, e kishte bërë në kundërshtim me ligjin 04/L-66, me të cilin ndalohet ushtrimi i veprimtarisë së kazinove, bastoreve dhe lojërave të fatit në qendrën historike të Prizrenit, dhe në kundërshtim me ligjin 04/L-080, i cili e ndalon që të ushtrojnë veprimtarinë bastoren në afërsi prej 500 metër prej objekteve edukativo-arsimore, institucione historike, fetare dhe pronës komunale, e duke i mundësuar bastorës “Xhoilloto” që të përfitojë në mënyrë të kundërligjshme.

Prokuroria e ngarkon me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoriteti zyrtar”./Betimiperdrejtesi/