Deputetët vizitojnë ministrinë e FSK-së

Anëtarë të Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione me kryetare Duda Balje, vizituan sot Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Lajme

20/12/2017 12:25

Ata patën takim me shefen e Njësisë për të Drejtat e Njeriut dhe Barazisë Gjinore në këtë ministri, Halime Morina si dhe me përfaqësueset  femra të disa departamenteve të kësaj ministrie, të cilat janë në pozita kyçe në MFSK, për t’u njoftuar për nivelin e të drejtave të njeriut dhe barazinë gjinore në MFSK.

Me këtë rast, ministri Rrustem Berisha  theksoi se në MFSK i kushtohet rëndësi përfshirjes së femrave duke thënë se shkalla e përfshirjes është e kënaqshme.

“Femra në MFSK ka arritur në pozitën dhe rolin e saj falë  përgatitjes profesionale, fizike dhe psikike që kërkohen në këtë institucion. Ato japin kontributin e tyre kudo që kërkohet si brenda institucionit ashtu edhe në përfaqësimin me dinjitet jashtë vendit”.

“Gjinia femërore në MFSK/FSK nuk është vetëm për plotësim të numrit, por përqindja e pjesëmarrjes së tyre përfaqëson peshën e saj në proceset vendimmarrëse të institucionit dhe na bënë të ndihemi krenarë me punën e tyre si brenda ashtu edhe jashtë shtetit. Një pjesë e tyre  i përkasin edhe të kaluarës së lavdishme-Ushtrisë Çlirimtare. Angazhimi jonë nuk do të mungojë as në të ardhmen për krijimin e ambientit të përshtatshëm të punës së femrave në institucionin tonë”, tehksoi ai.

Nga ana e saj  kryetarja e   këtij komisioni parlamentar Duda Balje premtoi bashkëpunim dhe  ndihmë profesionale e energji pozitive  kurdo që është e nevojshme.

“Do të punojmë për ju sa herë që keni nevojë për ndihmën tonë”, tha ajo.