Puna është dashuria jonë

Agim Çeku tashmë i ka përgjigjet e qytetarëve në xhep. Nga pyetësori që PDK ka realizuar me qytetarë, Çeku thotë se kërkesa kryesore ka qenë punësimi.

20/10/2013 12:33

Partia Demokratike e Kosovës dhe Kandidati i saj për Kryetar të Prishtinës, Agim Çekun, kanë marrë përgjigjet e pyetësorit të cilin e kanë realizuar me qytetarë.

Dy ditë para publikimit të rezultateve të këtij pyetësori, Agim Çeku tha se ka një plan të bazuar në tri shtylla, përmes të cilit do të punësohen 20 mijë vetë. E pikërisht punësimi ka dalë të jetë kërkesa kryesore e qytetarëve, në përgjigjet e pyetësorit të kësaj partie, rezultatet e të cilit janë prezantuar sot, në një konferencë shtypi.

Në pyetjen se në cilat fusha është bërë më së paku gjatë viteve të fundit, shumica e anketuesve, sipas Çekut, kanë thënë se më së paku është bërë për punësim.

Ndër prioritetet kryesore, që qeverisja e Prishtinës duhet t’i ketë gjatë mandatit të ardhshëm, sipas përgjigjeve të qytetarëve, del të jetë punësimi me 54 për qind, çerdhet, parkingjet, transporti publik, uji dhe energjia elektrike.

“Qëllimi i këtij pyetësori ka qenë që t’i marrim mendimet e qytetarëve, në mënyrë që të njihemi më mirë me përceptimin e tyre dhe me adresimin e problemeve dhe prioriteteve nga vet ata, të cilat ne në qeverisjen e ardhshme t’ju bëjmë zgjidhje dhe t’i përmbushim pritshmëritë e tyre”,

Nga 50 mijë pyetësorë, që kishte shpërndarë Dega e PDK’së në Prishtinë në familjet prishtinase, deri në javën e kaluar, me postë dhe në mënyrë elektronike, të plotësuara janë kthyer 2724 përgjigje.