Haraqija: Ja çfarë “përfiton” familja Rugova nga mbështetja që Teuta i dha Ramushit
Kandidati i koalicionit PAN për kryeministër, Ramush Haradinaj sot ka marrë mbështetjen nga deputetja e LDK-së, Teuta Rugova.
Lajme
Kjo mbështetje është arritur në shtëpinë e Presidentit Ibrahim Rugova, ku Haradinaj ka qëndruar për vizitë me bashkëpunëtorët e tij.
Se cili “është pazari” i kësaj marrëveshje, për lajmi.net ka folur Astrit Haraqija, i cili ishte në takim me Haradinajn si mik i familjes Rugova.
“Asnjë përfitim nuk e ka familja Rugova nga kjo marrëveshje. As Uka, as Teuta e as Mendimi nuk do të marrin kurrfarë posti në Qeveri”, ka thënë Haraqija për lajmi.net.
Sipas tij, mbështetja që i është dhënë Haradinajt për kryeministër nga familja Rugova në përgjithësi dhe Teuta në veçanti si deputete, ka të bëjë me traditën miqësore të ndërtuar me Haradinajn nga presidenti Rugova.
“Presidenti Rugova ka qenë ai që e ka filluar dhe e ka ruajtur miqësinë me Ramush Haradinajn. Këtë miqësi e ka vazhduar Uka dhe të tjerët. Nuk ka asgjë befasuese këtu, është vazhdimësi e miqësisë dhe bashkëpunimit”, ka thënë Haraqija. /Lajmi.net/
Takimi i sotëm në Rezidencën e presidentit Rugova