“Haradinaj do ta ketë mbështetjen edhe të Listës Serbe”

Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka thënë se asnjëra nga partitë në vend nuk ka asnjë arsye për ta kundërshtuar qeverinë e ardhshme të drejtuar nga vëllai i tij.

Lajme

22/06/2017 09:19

Madje ai është shprehur i bindur se Qeverinë do të krijohet nga koalicioni PAN, do ta përkrahë dhe Lista Serbe.

“Mendoj që të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës do të kenë të drejtën ta thonë fjalën e vet në Kuvend, ne jemi të hapur në bashkëpunim me të gjithë. Nuk besoj që Lista Serbe ose ndonjë parti politike ka arsye të fortë për me kundërshtua qeverisjen e ardhshme”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

Haradinaj tutje ka thënë se formimi i institucioneve do të ndodhë menjëherë pas certifikimit të rezultateve, pasi shpreh bindjen se kanë mbështetjen e duhur të deputetëve për një gjë të tillë.

“Ne jemi njëherë duke e pritur certifikimin e rezultateve dhe jemi të sigurt që koalicioni vetëm e ka kryer detyrën e vet, jemi të sigurt që nuk do të humbim kohë dhe besoj se formimi i institucioneve do të jetë shumë i shpejtë menjëherë pas certifikimit të rezultateve”, ka pohuar Haradinaj.

E duke folur për kandidatin për kryetar të Komunës së Deçanit, Haradinaj ka thënë se nëse organet e partisë e marrin vendimin që të jem kandidat, do ta respektojë, ka thënë ai.

“Unë mendoj se mbështetjen gjithsesi do ta kem por kjo nuk është situatë në tavolinë ta shohim njëherë, organet e partisë do ta marrin vendimin se kush do të jetë kandidat për Deçan, gjithsesi që në këto rrethana unë jam prej deputetëve të Kuvendit të Kosovës ndërsa në të ardhmen e afërt të shohim se si vendos partia gjithsesi unë jam njeri i partisë dhe respektoj vendimet”, ka pohuar Haradinaj.