Haziri: LDK e Gjilanit ka vendosur barazi gjinore sa i përket kandidatëve për deputet
“Në LDK e kemi vendosur standardin e barazisë, në raportin 50 me 50 dhe shpresojmë që këta kandidatë të jenë deputetët tanë në Kuvendin e Republikës”.
Lajme
Kështu është shprehur Lutfi Haziri, kryetar i Degës së LDK-së në Gjilan dhe nënkryetar në nivel
qendor, në tubimin e organizuar nga Forumi i Gruas i partisë në Gjilan. Ai tha se gratë tashmë
kanë hapësirë të madhe veprimi në të gjitha nivelet institucionale, përderisa ka siguruar se të
gjithë kandidatët e Koalicionit të Besës dhe Shpresës, gra dhe burra, do ta kenë mbështetjen
maksimale.
“Ofroj mbështetjen e plotë për kandidatët e LDK-së dhe Koalicionit të Besës dhe Shpresës. Këta
do të na përfaqësojnë denjësisht. Këta njerëz që i keni përballë do të votojnë ligje e procese jo të
lehta, por që do të na e sjellin liberalizimin e vizave. Këta njerëz, përveç tjerash, do të votojnë
për një buxhet edhe më të madh për Gjilanin”, tha Haziri.
“Nuk do t’i falim rivalët tanë, e nuk duhet ta falim votën jashtë këtyre kandidatëve. Kjo trevë ka
nevojë për kujdes. Ne kemi qenë të përjashtuar si zonë dhe jemi rikthyer dhe kemi mbështetje
solide në investime. Zonja e zonjusha, më bëni nderë me mbështetjen që e kam pasur nga ju dhe
vazhdoj ta kem, por kërkoj që ta bartni këtë mbështetje edhe tek këta kandidatë dhe më 11
qershor do të festojmë bashkërisht me shumë deputetë të Gjlanit në Parlament. LDK, me
kryeministër Avdullah Hotin, ju garanton mirëqenie, rritje të ekonomisë dhe një ambient të
sigurtë për të jetuar të lirë e të barabartë”, shtoi kryetari Haziri.
Pas Hazirit, radha erdhi për kandidatët për deputetët e LDK-së dhe të Koalicionit të Besës dhe
Shpresës.
Valentina Bunjaku Rexhepi, kryetare e Forumit të Gruas në Gjilan dhe kandidate për deputete, u
shpreh e bindur se gratë dhe burrat e Gjilanit do t’i mbështesin kandidatët e LDK-së, të cilët tha
se janë njerëz profesionist të vërtetë, të ndershëm e punëtorë, duke përsëritur zotimin e kandidatit
për kryeministër Avdullah Hotin që lehonia do të jetë 12 muaj me pagesë dhe për gratë pa punë,
50% e pagës minimale.