Mungesa e kushteve, lë shumë fëmijë me nevoja të veçanta pa shkollim
Ndonëse Kosova nuk ka statistika të sakta se sa është numri i fëmijëve me nevoja të veçanta, sfidë për këta fëmijë mbetet qasja e tyre në shkollim.
Lajme
Nazim Dragusha, është prind i vajzës 11-vjeçare e cila është e diagnostikuar me sëmundjen mikrocefali, e cila është e lidhur me defektet në zhvillim dhe reduktimin e masës së trurit.
Ndonëse vajza e tij ka ndjekur fillimisht mësimin në shkollën fillore, ‘’Nexhmi Mustafa’’ në Prugovc të Komunës së Prishtinës, aktualisht, sipas Dragushës, vajza e tij është detyruar ta ndërpres mësimin për shkak se shkolla nuk ofron kushte për këta fëmijë.
“Në shkollë ka shkuar në ciklin e ulët. Kohëve të fundit nuk e kam dërguar, pasi pesha e vajzës është rritur, dhe nuk po kam mundësi. Më herët e kam mbajtur në duar dhe e kam dërguar deri në klasë. Tash nuk po mundem, pasi nuk mund ta mbajë në shkallë, sepse vajza, por edhe karroca, janë shumë të rënda. Shkolla nuk po i plotëson kushtet për këso nevoja”, thotë Dragusha.
Fëmijët me nevoja të veçanta nuk kanë as asistent në klasë, e që sipas prindërve, është shumë e nevojshme.
“Ne kemi kërkuar, por po thonë që ka mungesë të asistentëve. Vajzën e ka mësuar mësuesja, por është vështirë, sepse ka shumë nxënës me një klasë, e këta fëmijë kërkojnë një trajtim më të veçantë”, thotë Dragusha.
Në organizatën, ‘’Hendikos’’, Ilmije Hyseni edukatore psiko- sociale i tha Radios Evropa e Lirë se fëmijët me aftësi të kufizuara duhet jenë pjesë e barabartë e shoqërisë dhe të kenë të drejtë të shkollohen.
“Fëmijët më aftësi të kufizuara kanë vështirësi për regjistrim në shkolla të rregullta. Ndonëse janë të mbrojtur me ligj, prapë vështirësitë në shkollim janë të shumta, pasi u duhen mësues mbështetës, të cilët mungojnë”.
“Problemet janë të shumta, pasi edhe prindërit ndonjëherë hezitojnë, pasi kushtet nuk i lejojnë ata që t’i bartin me karroca fëmijët. Por, nëse nuk regjistrohen në shkollë, atëherë këta fëmijë mbesin në shtëpi. Statistika nuk kemi se sa fëmijë vijojnë mësimin”, tha Hyseni.
Edhe një tjetër prind, flet për vështirësitë që hasin fëmijët me nevoja të veçanta në shkolla të rregullta.
Miradije Salihu, e ka djalin e saj me nevoja të veçanta. Ai vijon klasën e katërt. Për vështirësitë në të cilat has fëmija i saj i shpjegon vetë zonja Salihu.
“Na mungon asistenti personal për fëmijët me nevoja të veçanta. Por, unë kam shumë mirëkuptim me të gjithë. Në fillim ka qenë shumë vështirë, por me kohë djali ka arrit suksese me ndihmën e mësueses dhe ndihmën time”.
“Djali ka paralizë cerebrale, dhe me këtë diagnozë ka arritur mjaft. Unë jam një nënë e sfidave, e ballafaqimeve, por jam nënë që lufton për të drejtat e fëmijës tim dhe të gjithë fëmijëve me nevoja të veçanta”, thotë Salihu.
Ndryshe, nga Koalicioni i Organizatave joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve “KOMF”, kanë thënë se ndonëse qasja e fëmijëve me nevoja të veçanta është e përfshirë brenda legjislacionit, ekziston mungesa e vullnetit institucional në planifikimin buxhetor, për zbatimin e ligjeve që kanë të bëjnë me gjithë përfshirjen e fëmijëve me nevoja të veçanta në sistemin arsimor.
Ata disa herë kanë potencuar faktin se prioritetet orientohen në projekte kapitale, ndërsa asistentët për këta fëmijë të regjistruar në sistemin e rregullt, si dhe transporti për ta, nuk janë përcaktuar dhe nuk janë zotuar fondet e nevojshme./REL