Kongresisti amerikan: Të zbatohet Marrëveshja e Ohrit dhe të ruhen të drejtat e shqiptarëve
Kongresisti amerikan Keith Self zhvilloi sot në Maqedonia e Veriut takime të ndara me përfaqësues të Lëvizjes Studentore shqiptare dhe liderë të opozitës shqiptare, ku u diskutua për zhvillimet politike në vend, pozitën e shqiptarëve dhe rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Në takimin me përfaqësuesit e Lëvizjes Studentore shqiptare morën pjesë…
Lajme
Kongresisti amerikan Keith Self zhvilloi sot në Maqedonia e Veriut takime të ndara me përfaqësues të Lëvizjes Studentore shqiptare dhe liderë të opozitës shqiptare, ku u diskutua për zhvillimet politike në vend, pozitën e shqiptarëve dhe rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit.
Në takimin me përfaqësuesit e Lëvizjes Studentore shqiptare morën pjesë Mevlan Ademi, Besar Sejdiu dhe Jon Selimi, të cilët paraqitën shqetësimet e tyre lidhur me moszbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe tendencat që, sipas tyre, cenojnë të drejtat e fituara të shqiptarëve.
Përfaqësuesit studentorë theksuan rëndësinë e mbrojtjes së gjuhës shqipe, respektimit të barazisë kushtetuese dhe ruajtjes së frymës së bashkëjetesës e të përfaqësimit të garantuar me Marrëveshjen e Ohrit.
Më pas, kongresisti Self zhvilloi takim edhe me liderët e opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ku morën pjesë Ali Ahmeti dhe Zijadin Sela.
Gjatë diskutimeve u trajtuan zhvillimet aktuale politike, sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe rëndësia e respektimit të marrëveshjeve dhe standardeve që garantojnë barazi, përfaqësim dhe stabilitet ndëretnik.
Kongresisti amerikan Keith Self ritheksoi rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit, respektimit të të drejtave demokratike dhe zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit si garanci për bashkëjetesë dhe paqe afatgjatë në vend dhe rajon.
Vizita e kongresistit Self në rajon vjen pas qëndrimit në Luginën e Preshevës dhe takimeve me përfaqësues politikë e institucionalë shqiptarë, si dhe pas takimeve me krerët më të lartë të institucioneve të Kosovës.