Edi Rama: PD nuk di të bëjë shtet

Edi Rama u ka kërkuar socialistëve 71 mandate më 25 qershor, si të vetmen mundësi për të çuar përpara reformat e ndërmarra në mandatin e parë qeverisës.

Lajme

23/05/2017 18:46

“Na duhen patjetër 71 për Partinë Socialiste që ne të mbajmë timonin e reformave pa mbajtur njeri në prehër”, tha Rama.

Kryeministri kërkoi votën e grave dhe vajzave në Durrës për të fituar bindshëm në zgjedhjet e ardhshme, ndonëse mbështetjen e tyre e ka patur gjithnjë: “Sipas gjithë anketimeve tona, po të votonin vetëm gratë, Partia Socialiste do të merrte 91 deputetë në 25 qershor”.

Edi Rama u shpreh i kënaqur që sot qeveris me demokratët për të mos patur ankesa pas 25 qershorit, por Partinë Demokratike e quajti një rrezik për Shqipërinë.

“Partia Demokratike në zgjedhje është një gjë shumë mirë, pasi të gjithë marrin pjesë. Por, Partia Demokratike është kërcënim për tu kthyer sërish mbrapa, atje ku kemi qenë sepse ata kanë qenë në qeveri, kanë drejtuar institucione e bashki dhe çfarë bënë? Më thoni një sukses të tyre. Më tregoni një histori suksesi. Luli në Tiranë? Një gjë të mirë bëri, gjumë për 7 palë qejfe. Ata nuk dinë të bëjnë shtet dhe për këtë arsye i bëjnë gjërat çorap sa herë ua jep në dorë. Është një risk shumë i madh”, deklaroi Rama.

Përmes batutave, kryeministri tha se marrëveshja me kreun e opozitës u arrit vetëm falë vullnetit: “Falë vullnetit të PS, sepse po mos të kishim atë vullnet, unë nuk do isha bërë si Romeo që të kërkoja Xhulietën çdo ditë. Ju siguroj që në këtë moshë edhe një Xhulietë e Xhulietave të ishte, do thoja “harroje Ed Rama se ke punë të tjera. E bëmë me bindje që gjërat që rrezikoheshin nga mungesa e marrëveshjes ishin më të mëdha se gjërat që fitoheshin. Fitonte PS-ja 120 deputetë, e çfarë na duhej? Ndërkohë, që Shqipëria fute në një spirale që nuk do ishte frymëzuese”. /TCH