Rumani – Shqipëri, lëndohet një prej futbollistëve më të mirë!

Ledian Memushaj, një prej futbollistëve më të mirë të Shqipërisë nga ndeshja kundër Francës, vuan nga një lëndim, para duelit me Rumaninë.

Sport

18/06/2016 09:32

Kombëtarja ka zhvilluar vetëm një stërvitje, të premten. Ekipi i drejtuar nga trajneri Gianni De Biasi, është stërvitur në fushën e kompleksit sportive “Yves” .

Kjo është stërvitja e parë dhe e vetmja, përpara ndeshjes kundër Rumanisë, që zhvillohet në Perros Guirec ku Shqipëria po përgatitet prej 11 ditësh në finalet e Kampionatit Europian “Francë 2016”.

I vetmi që ka zhvilluar stërvitje të diferencuar ka qenë Ledian Memushaj, i cili kryesisht ka zhvilluar ushtrime dhe sprinte të lehta por nga stafi mjekësor konfirmohet, se nuk ka shqetësime serioze. Futbollistët u stërvitën fillimisht me disa sprinte të lehta dhe vrapime rreth fushës, raporton FSHF-ja.

Kjo nxemje ka zgjatur për rreth 10 minuta. Më pas stërvitja ka vazhduar për rreth 20 minuta me ushtrime aerobike, streçing etj. Në pjesën e dytë të stërvitjes skuadra ka provuar disa skema dhe variante taktike që me shumë gjasa mund të përdoren edhe në ndeshjen e tretë në grup kundër Rumanisë.

Sot ekipi kombëtar do të udhëtojë drejt Lyonit dhe pasdite do të kryejë stërvitjen e fundit në stadiumin ku do të zhvillohet ndeshja.