Princ Llazari në Mitrovicë, asamblistët shqiptarë e boshnjakë protestojnë

Në një seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së veriut, dje (premte) është votuar pro vendosjes së shtatores së figurës historike serbe – Princ Llazarit, në njërin nga sheshet e kësaj pjese të qytetit.

Lajme

18/06/2016 09:19

Në këtë seancë të jashtëzakonshme, nga 19 asamblistë sa janë gjithsej, morrin pjesë 17. Kundër këtij propozimi ishin asamblistë shqiptarë dhe boshnjakë të cilët e cilësuan këtë veprim si të motivuar etnikisht, duke e lëshuar edhe në mënyrë demonstrative seancën, raporton lajmi.net.

Propozimi erdhi nga asamblistët e Listës Serbe, saktësisht nga asamblisti Igor Simiq. Por, përkundër kundërshtimit të asamblistëve shqiptarë e boshnjak, propozimi arriti të marrë shumicën (11 vota), për t’u miratuar nga kuvendi komunal.

“Shtatorja do të jetë 12 e lartë dhe do të vendoset tek rrethrrotullimi kryesor në qendër të veriut të Mitrovicës, ndërsa, në seancën e Kuvendit Komunal të veriut të Mitrovicës do të jepet edhe formalisht drita e gjelbër për këtë çështje”, ka thënë Simiq.

Shtatorja do të zbulohet me rastin e Vidovdanit në korrik të këtij viti, kanë bërë të ditur këta asamblistë.

Gjatë fjalimit të tij, asamblisti nga PDK, Emir Azemi, i cili foli edhe në emër të asamblistëve shqiptarë e boshnjak, ka thënë se nuk do të merr pjesë në vendosjen kësaj shtatore, pasi siç është shprehur, ky akt është i motivuar politikisht në baza etnike. /lajmi.net