Balaj ka një lutje për De Biasin

Bekim Balaj ka kërkuar nga selektori i Shqipërisë, Gianni de Biasi që ta aktivizojë në ndeshjen kundër Rumanisë.

Sport

18/06/2016 08:42

Ai gol fantastik i Bekim Balajt në ‘Aveiro’ ndaj Portugalisë i hapi rrugën kualifikimit historik të Shqipërisë në Evropian, por edhe pse luajti një rol shumë të rëndësishëm në eliminatore, sulmuesi shkodran ende nuk e ka bërë debutimin e tij në Euro 2016.

Balaj i ka ndjekur nga stoli dy ndeshjet e para të Kombëtares Kuqezi në Grupin A, ndaj Zvicrës dhe Francës, por ky fakt nuk e demoralizon 25 vjeçarin, i cili po pret momentin e tij.

“Të them të drejtën që në momentin që kemi ardhur këtu kam qenë në dispozicion të skuadrës për të dhënë maksimumin tim, gjithsesi është trajneri ai që vendos. Në ndeshjen ndaj Francës mund të isha aktivizuar në minutat e fundit por dëmtimi i Ajetit prishi planet e trajnerit. Megjithatë unë po përgatitem maksimalisht dhe shpresoj që ndaj Rumanisë të vijë momenti tim”, tha Balaj.

“As që mund ta mendoj se mund ta mbyll Evropianin pa luajtur asnjë minutë. Kemi edhe një ndeshje tjetër për të luajtur dhe shpresoj të bëj debutimin tim”, shtoi sulmuesi i Kombëtares.

Parashikoni ndeshjet e EURO 2016 dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 6S dhe Samsung Galaxy Note 4.