Protesta e parë e Opozitës së ndarë (Foto/Video)
U nisën më autobusë e vetura nga vende të ndryshme për të protestuar kundër pushtetit aktual dhe për të mbështetur kauzën e subjekteve politike, AAK e NISMA.
Lajme
9 autobusë u raportua se u nisën nga Malisheva si dhe 14 të tjerë së bashku me 600 vetura nga Peja, duke ia mësyrë kështu shesheve të Prishtinës, në protestën e thirrur nga opozita, e që pikëgrumbullimi i parë, sipas agjendës së opozitës për protestën e sotme, ishte sheshi Zahir Pajaziti.
Ende pa nisur protesta, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës njoftoi se mijëra vetura po pengohen që të shkojnë drejt Prishtinës për kinse punime në rrugë, ndërsa ka bërë apel nga Policia që të lehtësojë qarkullimin. Për këtë skenarë, AAK fajësoi koalicionin aktual.
Njerëzit kishin filluar të mblidheshin në sheshin Skenderbe për të filluar protestën e paralajmëruar në ora 14:00, raporton lajmi.net.
Ndërkohë Policia kishe rrethuar Qeverinë, por kësaj radhe pa Njësinë Speciale, ku këta të fundit ishin të pranishëm në secilën protestë ku bënte pjesë edhe Lëvizja Vetëvendosje.
Qytetarët që po i bashkoheshin protestës mbanin në duar flamuj të Kosovës, Shqipërisë dhe janë parë disa flamuj të UÇK-së e Dardanë.
Ashtu edhe siç u paralajmërua, pa u vonuar nisi protesta. I pari që mori fjalimin ishte kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismas, Jakup Krasniqi i cili ritheksoi edhe njëherë se ishin aty për të kundërshtuar marrëveshjet e dëmshme me Serbinë sikurse edhe Demarkacionin me Malin e Zi.
Pas tij, fjalimin e vazhdoi edhe Palë Lekaj, për të vazhduar më pas me Ali Lajçin i cili përfaqësonte banorët e zonës së Rugovës. Ky u fundit tha se ratifikimi i Demarkacionit nuk duhet të ndodhë sepse, siç vlerësoi ai, një gjë e tillë është shumë e dëmshme për Kosovën.
Ndërkohë protestuesit përdornin filikaqat dhe brohorisnin kundër Qeverisë.
Akuzat vazhduan kundër pushtetit aktual edhe nga kreu i Nismas, Fatmir Limaj. Theksoi se kjo Qeveri po bën pazare duke falur tokë për vizat. “Ne i dojmë vizat por s’japim tokë”, sqaroi Limaj para protestuesve.
Githçka po shkonte sikurse edhe kishin kërkuar liderët e AAK-së e NISMA-s, një protestë të qetë dhe paqësore.
Për ta përfunduar protestën, foli edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Gjatë fjalimit të tij para protestuesve, ai shtoi se Kosova po përjeton trazira prej siç tha ai, pushtetarëve të korruptuar që po ua humbin shpresën qytetarëve.
Ai ka thënë se rreziku më i madh vjen prej fqinjëve dhe nga Qeveria e Kosovës. “Kosova sot i ka dy rreziqe: E para është nga ndërhyrjet nga fqinjët dhe e dyta nga Qeveria”, pohoi Haradinaj para se protestuesit të fillonin të shpërndaheshin, duke e përmbyllur atë pa asnjë incident.
Kërkesat e liderëve dhe të tjerëve në fjalimet e tyre ishin: Zgjedhje të reja, jo ratifikim të Demarkacionit me Malin e Zi dhe Asociacionit, tërheqja e Qeverisë./ D.K.