Presidenti Thaçi: Kampionet e xhudos janë nderi dhe imazhi i Kosovës (Video)
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi priti sot në takim ekipin e xhudisteve kosovare, Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova, të cilat fituan medalje në Kampionatin Evropian në Rusi.
Lajme
Presidenti në takim ka pritur delegacionin e Federatës së Xhudos së Kosovës (FXHK), të përbërë nga Agron Kuka, kryetar, Driton Kuka, përzgjedhës i përfaqësueses, Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova, xhudiste të përfaqësueses së Kosovës, të stolisura me medalje të arit, përkatësisht bronzit në Kampionatin Evropian në Rusi.
Presidenti Thaci përgëzoi Majlinda Kelmendin për sukseset e saj të vazhdueshme në xhudo dhe në veçanti për suksesin e fundit si fituese e Medaljes së Artë në kampionatin e xhudos që u mbajt në Rusi .
“Uroj Majlindën dhe Norën për fitoren madhështore të medaljes së art, për nderin e madh që i kanë bërë shtetit të Kosovës në një ambient dhe mjedis ku u nderua dhe u respektua dhe u ngrit në piadestal himni dhe flamuri i Kosovës. Ju jeni nderi i Kosovës, imazhi i Kosovës. Ju jeni ata që ne të gjithë krenohemi”, tha presidenti Thaçi.
Kampionia e xhudos Majlinda Kelmendi tha se ky është vetëm një fillim i mbar. Ajo premtoi se Kosovës do ti sjellë shumë medalje.
“Kjo nuk është medalja e parë për mua. Por kjo medalje ka bërë bujë në Kosovë për faktin që u mbajt në Rusi dhe që atje për herë të parë është këndua himni i Kosovës dhe ka qen aty prezent flamuri i Kosovës. Po më vjen shumë mirë që njerëzit ky lajm i ka bërë mu ndie të lumtur”, tha Majlinda Kelmendi.
Presidenti Hashim Thaçi dha përkrahje të plotë Majlinda Kelmendit për përfaqësimin e saj në Olimpiadën që mbahet në Rio de Janeiro. /lajmi.net

