Studentët serbë protestuan kundër pranimit të Kosovën në UNESCO
Rreth 200 studentë të Universitetit të Prishtinës në veri të Mitrovicës të mërkurën në orën 12 e 44 (simbolikë e Rezolutës 1244) kanë protestuar pranë cepit verior të urës kryesore mbi lumin Ibër, duke kundërshtuar në këtë mënyrë pranimin eventual të Kosovës në UNESCO.

Lajme
Studentët kanë bartur flamuj të Serbisë si dhe pankarta ku shkruan “Jo Kosova në UNESCO”, etj, ndërsa protesta është shpërndarë e qetë dhe nuk është shënuar ndonjë incident.
Njëri nga përfaqësuesit e këtyre studentëve, Millan Saviq, tha se studentët serbë të Universitetit të Prishtinës nuk e pranojnë Republikën e Kosovës dhe janë kategorik kundër pranimit të Kosovës në UNESKO.
Sipas tij, nëse një gjë e tillë ndodhë, studentët përveç protestave do të shprehin revoltën e tyre edhe përmes formave tjera, për të cilat nuk precizoi çfarë do të jenë ato.
“Jemi tubuar të shprehim pakënaqësinë tonë në lidhje me paralajmërimet se sot do të bëhet propozimi në Kombet e Bashkuara për pranimin e Kosovës në UNESCO, meqë ne nuk e pranojmë Republikën e Kosovës, respektivisht studentët e universitetit serb të Prishtinës nën Republikën e Serbisë, janë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO…nëse vjen deri tek ajo që ne besojmë se nuk do të vie, ne do t’i shqyrtojmë veprimet tona dhe të gjitha format tjera të revoltës të lejuara me ligj”, ka thënë Saviq.
Studentët kanë paralajmëruar protesta edhe për nesër dhe ditët në vijim. /KP