Demolli njofton ambasadorin amerikan për transformimin e FSK-së
Ambasadori i ri amerikan në Kosovë, Greg Delawie ka përgëzuar të arriturat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Lajme
Ai gjatë një takimi që ka zhvilluar me ministrin e FSK-së, Haki Demolli, ka thënë se bashkëpunimi mes ushtrisë amerikane dhe FSK-së, do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Delawie theksoi se siguria rajonale është njëra nga prioritetet dhe lavdëroi përkushtimin e FSK-së për tu stërvitur me ushtrinë amerikane dhe aleatët tjerë, brenda mandatit që mbanë, thuhet në një komunikatë të ministrisë së FSK-së.
Nga ana tjetër ministri Haki Demolli e njoftoi ambasadorin amerikan me zhvillimet e reja në MFSK, me theks të veçantë, zhvillimet në procesin e transformimit të FSK-së, përgatitjet që janë bërë deri më tani dhe procedurat nëpër të cilat duhet të kalojë ky proces, gjegjësisht sfidat me të cilat do të ballafaqohet.
Po ashtu ministri Demolli foli edhe për shkallën dhe dinamikën e bashkëpunimit në mes të MFSK-së përkatësisht FSK-së me ushtrinë e SHBA-ve, donacionet e shumta që janë dhënë nga SHBA-të, trajnimet e ndryshme duke theksuar partneritetin e shkëlqyeshëm që ekziston në bashkëpunim mes Gardës Kombëtare të IOWA-së dhe FSK-së.