Serbët kërcejnë me këngët e Shpat Dedës midis Beogradit
Në derën e një qendre kulturore në Beograd, ishte varur një letër e bardhë e formatit A4 dhe aty paralajmëronte se do mbahej një koncert në gjuhën shqipe.
ShowBiz
Ajo letër mbante emrin e këngëtarit nga Kosova, Shpat Deda, i cili do të ishte mysafiri i kësaj nate dhe ku do të këndonte plot 15 këngë në gjuhën shqipe.
Deda, arriti t’i shtyjë të vallëzojë gati 100 qytetarë serb të cilët e dinin apo nuk e dinin se kush do të performonte u gjendën në sallën e qendrës kulturore “KC Grad”.
Edhe pse Deda nuk këndonte në gjuhën e tyre, qytetarët serb u ndanë mjaft të kënaqur dhe nuk ndalonin se vallëzuari.
Edhe gjatë por edhe pas koncertit Shpat Deda, mori shumë brohoritje dhe komente pozitive.
Pa marrë parasysh se çfarë nacionaliteti ke si publik, për Shpatin janë të njëjtë.
E, të këndosh shqip në mes Beogradit nuk ishte fare e vështirë për Shpatin edhe pse përderisa jashtë vendit ku bënte muzikë ai, rrethohej nga një numër i vogël policësh.
“Unë e di që ajo polici ka qenë më shumë si një lloj preventive për çdo rast, është mirë me pas. Por gjatë këtyre tri ditëve nuk kam pasur asnjë moment të parehatisë. Thjesht nuk kam shkuar me atë far idenë që kam shkuar në Beograd. Kam shkuar me një qytet që nuk e njoh aq shumë dhe kam pasur qejf me shtetit dhe me pa dhe qashtu ju kom qas dhe qashtu ju kom qas”, tha Deda.
Se muzika është element që mund të thyej kufijtë e tha edhe vet Shpati.
Koncerti i tij u organizua në kuadër të “Muaji i Prishtinës në Beograd”, i organizuar nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd dhe Qendra Liberale Demokrate në Prishtinë.
Në kuadër të këtij organizimi u mbajtën edhe shumë aktivitete tjera.
Për gjatë një muaji në këtë vend u organizuan shumë ngjarje të tjera kulturore. Filma, ekspozita, debate e performanca të ndryshme ishin në dispozicion për publikun serb gjatë gjithë muajit qershor, në kuadër të organizimit “Muaji i Prishtinës në Beograd”.
Ky muaj u përmbyll edhe me një debat ku u fol për “Pozitën e gruas në Kosovë dhe Serbi dhe ndikimi i vlerave patriarkale në art dhe kulturë”.
Programi “Serbia dhe Kosova: Kultura pa kufi”
“Serbia dhe Kosova: kultura pa kufi” është një program i Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut, që implementohet në bashkëpunim me Qendrën Liberale Demokrate me bazë në Prishtinë. Programi financohet nga delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi.
Përmes këtij programi të shkëmbimit kulturor tentohet që të kontribuohet në ripërtëritjen e marrëdhënieve të vendosura më herët dhe krijimin e komunikimeve të reja në mes të rinjve, akademikëve, grupeve të artistëve, mediave dhe të shoqërisë civile nga Beogradi dhe Prishtina.
Përmes këtij programi po synohet që të luftohet edhe për stereotipet dhe paragjykimet e të dyja shteteve përmes lidhjes së akterëve nga fusha a artit dhe kulturës dhe përmes hapjes së dritares së dialogut dhe shkëmbimit për të rinjtë në Kosovë dhe Serbi.
Pas kësaj organizatorët thonë se do të pasoj edhe “Muaji i Beogradit në Prishtinë“, ku regjisorë, piktorë, muzikant dhe artistë të tjerë nga Serbia do të kenë mundësi që të prezantojnë punimet e tyre para publikut dhe kolegëve të tyre nga Kosova./KosovaPress