Carter: SHBA-ja do të vendosë armatime të rënda në krahun lindor të NATO-s
SHBA-ja do të vendosë përkohësisht armatime të rënda për një brigadë në vendet e Evropës qendrore dhe lindore, me qëllim për të riforcuar NATO-n në krahun lindor, deklaroi sot sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter.
Bota
“Ne do të vendosim përkohësisht armatime për një brigadë duke përfshirë automjete luftarake dhe pajisje të asociuara në vendet e Evropës qendrore dhe lindore”, deklaroi Carter në një konferencë shtypi.
Ai theksoi se bëhej fjalë për tanke dhe pajisje artilerie të lëvizshme për këmbësorinë. Një brigadë amerikane numëron rreth 5 000 trupa.
Armë të rënda amerikane do të vendosen gjithashtu për herë të parë në Estoni, Lituani, Letonia, Bullgari, Rumani dhe Poloni, vende që janë anëtarësuar në NATO dhe që, para rrëzimit të murit të Berlinit, i përkisnin sferës së influencës së Bashkimit Sovjetik.
Vendet baltike dhe vende të tjera të Evropës lindore janë shumë të shqetësuara që prej aneksimit të Krimes dhe luftimeve në Ukrainë, ku separatistët pro-rusë kontestojnë autoritetin e Kievit në lindje të vendit.