Mehmeti: Mund të thirren në Hagë edhe drejtuesit e UÇK-së në Maqedoni

Duke komentuar aktgjykimin e Hagës ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së, publicisti Kim Mehmeti ka deklaruar se në Gjykatën Speciale mund të thirren edhe ish-drejtues të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) në Maqedoni. Mehmeti ka thënë se, sipas tij, fakti që disa prej drejtuesve të UÇK-së në Maqedoni kanë pasur role edhe në strukturat e UÇK-së në…

Lajme

23/09/2026 23:38

Duke komentuar aktgjykimin e Hagës ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së, publicisti Kim Mehmeti ka deklaruar se në Gjykatën Speciale mund të thirren edhe ish-drejtues të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) në Maqedoni.

Mehmeti ka thënë se, sipas tij, fakti që disa prej drejtuesve të UÇK-së në Maqedoni kanë pasur role edhe në strukturat e UÇK-së në Kosovë mund të përdoret si bazë për kërkesa të tilla.

“Media në Beograd ushtojnë me atë se u dëshmua që edhe ata kanë bërë krime dhe e kthejnë edhe te pyetja se pse nuk u përgjigjën drejtuesit e UÇK-së në Maqedoni. Edhe ata do të mundohen ta përdorin këtë, nëse do të mund të thirren në Hagë edhe ish-drejtuesit e UÇK-së në Maqedoni. Shihni, ata kanë qenë edhe drejtues të UÇK-së së përgjithshme, pra, si të them, kanë vegëz ku të kapen. Por unë shpresoj se ajo nuk do të ndodhë. Mirëpo, nëse kësaj gjykate, siç e quaj, i lejohet edhe më tutje të veprojë, atëherë çka nuk mund të ndodhë”, ka deklaruar Mehmeti.

Ai i është referuar edhe deklaratave të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili më herët ka thënë se ekzistojnë qarqe të interesuara për themelimin e një gjykate që do të merrej me luftën e UÇK-së në Maqedoni.

“Ali Ahmeti ka thënë se ka qarqe që janë të interesuara që të themelojnë një gjykatë edhe për luftën e UÇK-së në Maqedoni. Unë e kam thënë në disa emisione më parë se edhe unë kam informata që atje punohet në atë që të kthehen ato dosjet e Hagës, siç quhen, të cilat i hoqën dhe që aty bënin tregti kryetari i BDI-së me ata që të heshtnin për një kohë çështjet etnike, vetëm nëse hiqen ato dosje. U hoqën ato, mirëpo ata njerëz të cilët e kanë në shpirt antishqiptarinë gjithmonë presin momentin që të kthehet ajo”, ka thënë Mehmeti.

Ndryshe, më 16 shtator, Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, i shpallën të katërt fajtorë për krime lufte dhe i dënuan me nga 13 deri në 25 vjet burg.

Ata u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit.