Rritet Bruto Produkti Vendor në Kosovë

Bruto Produkti Vendor (BPV) në Kosovë në tre muajt e fundit të vitit 2014 ka shënuar rritje për 3.3% në krahasim me TM4 të vitit 2013.

Lajme

11/06/2015 16:55

Kështu thuhet në raportin e BPV-së, ku thuhet se rritja sipas aktiviteteve ekonomike është: bujqësia, gjuetia, pylltaria dhe peshkimi me 1.4%; ndërtimtaria me 5.8%; industria përpunuese me 1.8%; tregtia me shumicë dhe pakicë, riparimi i automjeteve dhe motoçikletave me 6.1%; hotelet dhe restorantet me 0.8%; dhe afarizmi me pasuri të patundshme me 12.4%. Ndërsa, rënie shënuan: furnizimi me energji me -2.3%; transporti dhe magazinimi -1.6%; administrimi publik -3.1%; shërbimet e tjera -11.3%; dhe industria nxjerrëse -0.9%.

BPV-ja sipas qasjes së shpenzimeve ka pasur rritje, në: shpenzimet e konsumit final të ekonomive shtëpiake dhe institucionet jopërfituese në shërbim të ekonomive shtëpiake me 3.8%; formimin e bruto kapitalit me 0.7%; eksportin e mallrave dhe shërbimeve me 33.6%; dhe në importin e mallrave dhe shërbimeve me 8.2%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2013.

Ndërsa, rënie kanë shënuar shpenzimet e konsumit final të Qeverisë me -5.9%, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak.