Vendimi përfundimtar për “Grupin Drenica”, do të shpallet me 27 maj

Procesi gjyqësor ndaj “Grupit Drenica”, po shkon drejtë fundit. Pas përfundimit të fjalës përfundimtare nga ana e mbrojtësve të të akuzuarve nga ky grup, vendimi përfundimtar pritet të shpallet me 27 maj. Këtë e ka bërë të ditur kryetari i trupit gjykues, Darius Sielicki.

Lajme

12/05/2015 16:11

Kurse në seancën e sotme, fjalën përfundimtare e paraqiti Arianit Koci, avokati i Sami Lushtakut.

Ai ishte i gjashti në radhën e avokatëve që paraqitën këtë fjalë, të cilën pesë kolegët e tij e përfunduan një javë më parë.

Koci në gjykatore tregoi pse po akuzohet klienti i tij.

“I pandehuri Sami Lushtaku ngarkohet me veprën penale krime lufte kundër popullatës civile kinse në cilësinë e tij si pjesëtar i UÇK-së dhe si person që kinse ushtronte kontroll në qendrën e ndalimit në Likovc”, tha Koci.

Pas seancës, avokati Koci tha për KALLXO.com se beson që ia ka mbushur mendjen trupit gjykues që Sami Lushtaku është i pafajshëm.

“Argumentet kanë qenë të fuqishme dhe besoj së është bindur trupi gjykues në pafajësinë Lushtakut. Sido që të jetë, aktgjykimi do të merret më 27 maj dhe nuk është etike të elaboroj dhe të flas për aktgjykim para shpalljes se tij,” theksoi Koci.

Nesër fjalën përfundimtare pritet ta paraqesë Gregory Guy Smith, avokati i Sylejman Selimit.

Në këtë proces gjyqësor për krime lufte përveç Lushtakut e Selimit akuzohen edhe Sabit Geci, Sahit Jashari, Ismet Haxha, Avni Zabeli dhe Jahir Demaku.