Kuvendi dërgon “Gjykatën Speciale” në Gjykatën Kushtetuese (Video)
Kuvendi i Kosovës do të dërgojë sot në Gjykatën Kushtetuese propozimin për ndryshimet e nevojshme kushtetuese, të cilat kanë të bëjnë me Gjykatën Speciale, para se projektligji për këtë gjykatë tu procedohet deputetëve për votim.

Lajme
Qeveria e Kosovës duke shfrytëzuar të drejtën e saj kushtetuese, për të kërkuar amandamentim të Kushtetutës, i ka propozuar Kuvendit ndryshimet e nevojshme të aktit më të lartë juridik të vendit, për t’i hapur rrugë themelimit të Gjykatës Speciale. Por para se këto ndryshime të procedohen në Kuvend, ato do të dërgohen për verifikim në Gjykatën Kushtetuese, për të parë nëse janë kompletë në përputhje me Kushtetutën e vendit.
Kjo është bërë e ditur sot nga kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, i cili ka thënë se Kuvendi fillimisht dëshiron të shikojë se këto ndryshime a korrospodojnë me Kushtetutën.
Ndërsa sipas tij, sa i përket themelimit të kësaj gjykate, ajo është një obligim i marrë që nga prilli i vitit të kaluar, gjatë një letërkëmbimi të institucioneve të Kosovës me ato të Bashkimit Evropian.
I pyetur nëse këto ndryshime do të arrijnë të marrin dritën e gjelbër nga deputetët, kryetari Veseli ka thënë se momentalisht është faza e verifikimit të kushtetutshmërisë së këtyre ndryshimeve, ndërsa për vullnetin politik, do të shihet më vonë.
Por edhe për këtë ai ka thënë se personalisht ka një qëndrim, e ai është se UÇK ka bërë një luftë të drejtë çlirimtare, duke e çliruar popullin nga padrejtësitë dhe robëria. “Të gjithë luftëtarët e UÇK-së kanë qenë luftëtarë të lirisë, dhe çdo gjë që ka të bëjë me të drejtën e UÇK-së dhe të Kosovës si shtet, ne do ta procedojmë në mënyrën që asnjë njollë të mos i mbetet vendit, UÇK-së dhe luftëtarëve të saj”.
Veseli ka theksuar edhe nevojën përmbushjes së kërkesave që vijnë nga miqtë ndërkombëtarë të Kosovës, pasi sipas tij, veni ka arritur të vijë deri këtu ku është sot, vetëm falë partneritetit me ndërkombëtarë, dhe edhe në të ardhmen Kosova duhet t’i kryej obligimet që të jetë një shtet ligjor.
Kryetari i Kuvendit, ka folur edhe për korrupsionin. Ai ka thënë se kjo është një dukuri e cila është duke e brejtur shoqërinë kosovare, dhe sipas tij duhet ndalur sa më parë, që vendit t’i jepet perspektiva e zhvillimit. (lajmi.net)
