KEDS: Ne nuk i përcaktojmë çmimet, mos e kërkoni këtë nga ne
KEDS i është përgjigjur protestuesve përmes një reagimi, ku thotë se nuk janë adresa e duhur për të kërkuar mosarritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Lajme
Edhe sot një numër prej dhjetëra protestuesish kanë kërkuar nga KEDS të mos e rrisë çmimin e energjisë elektrike, por ata përmes një komunikate për media, kanë sqaruar se është dikush tjetër që vendos për këtë.
Njoftimi i plotë i KEDS-it:
Duke qenë se realisht vetëm një kërkesë e grupit të protestuesve mund të plotësohet nga KEDS, ne vlerësojmë se kemi plotësuar kërkesën e vetme që ka të bëjë me ne. Dëshirojmë të potencojmë edhe njëherë që KEDS nuk përcakton çmimet dhe strukturat tarifore të energjisë elektrike andaj edhe një gjë e tillë nuk duhet kërkuar nga ne.
Në lidhje me dyshimin rreth institucionit kompetent për përcaktimin e çmimit, besojmë që edhe institucionet përgjegjëse janë përgjigjur në pyetjen e protestuesve përmes mediave andaj edhe çuditemi me insistimin në kërkesat që bëhen.
Derisa në lidhje me transparencën publike rreth KESCO, ne gjatë ditës së djeshme kemi publikuar informata shtesë në lidhje me KESCO si dhe kemi ftuar të gjitha grupet organizuese të protestës të vizitojnë KEDS për informata dhe dokumente shtesë me qëllim të informimit të drejtë.
Vlerësojmë që protestat e radhës të organizuara në këtë drejtim janë të padrejta dhe përdoren për qëllime personale ose të afirmimit personal të individëve ose të grupeve të caktuara për shkak se fatkeqësisht dy kërkesat e para nuk mund të plotësohen nga KEDS. Andaj, nëse qëllimi është të mbrohen interesat e qytetarëve dhe të arrihen rezultate përmes protestës, kërkesa të tilla nuk duhen kërkuar nga institucionet që në fakt nuk mund t’i plotësojnë ato, në këtë rast nga KEDS.
Përfundimisht, ne kemi reaguar në plotësimin e kërkesave të protestuesve, sidomos të atyre kërkesave që kanë direkt lidhje me fushën e veprimit të KEDS dhe KESCO dhe që mund të plotësohen nga KEDS dhe KESCO.
1. KEDS nuk përcakton çmimin e energjisë elektrike dhe nuk është në kompetencë të KEDS të përcaktojë tarifat dhe strukturën tarifore. Për informatën tuaj, ERRA publikon statistika në baza vjetore rreth çmimeve të energjisë elektrike dhe në rajon Kosova rangohet si një nga vendet me çmim të ulët të energjisë elektrike. Në krahasim me vendet në rajon, vetëm Serbia ka çmime më të lira të energjisë elektrike.
2. Në lidhje me transparencë publike rreth KESCO, kjo kompani është në pronësi të kompanive Çalik dhe Limak. Ne tanimë kemi informuar të gjithë konsumatorët individualisht për procesin e shthurjes duke shpërndarë njoftimin me fatura të energjisë elektrike muaj më parë. Ne do të organizojmë fushatë informimi për qytetarët me qëllim që kjo shthurje dhe kërkesë ligjore të jetë më lehtë e kuptueshme nga të gjithë. Madje, ftojmë organizatorët e protestës që të konsultohen me KEDS rreth mënyrave të informimit.
3. Nëse qytetarët kanë pakënaqësi me faturimin e energjisë elektrike, statistikat tregojnë që ankesat janë minimale duke marrë parasysh veprimet e KEDS rreth minimizimit të gabimeve të mundshme në faturim gjatë gjithë vitit. Sidoqoftë, ne ftojmë organizatorët e protestës të monitorojnë shqyrtimin e ankesave dhe i ftojmë të marrin pjesë edhe në procesin e leximit dhe faturimit gjatë periudhave të faturimit. Ofrojmë transparencë të plotë në të gjitha proceset me qëllim të minimizimit të pakënaqësive.
4. Ftojmë organizatorët të marrin pjesë në takim me përfaqësuesit e menaxhmentit të lartë të KEDS me qëllim të sqarimit të të gjitha kërkesave dhe jemi të gatshëm për bisedime dhe për ofrim të të gjitha informative duke qenë se nuk kemi asgjë për të fshehur.
5. Për informatën e të gjithëve, edhe sot kur prodhimi i energjisë elektrike është minimal dhe konsumi në rritje, KEDS vazhdon të importojë sasi të mëdha të energjisë elektrike jashtë bilancit energjetik të aprovuar nga MZHE dhe të njëjtën e ka bërë gjatë gjithë vitit, me qëllim që furnizimi të jetë i qëndrueshëm dhe që problemet me gjenerim në KEK të mos ndikojnë në furnizim me energji elektrike.