Qeveria ia merr “Trepçën” AKP-së

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e saj të rregullt të mërkurën, ka marrë vendim që ndërmarrja “Trepça” të kthehet në pronësi të shtetit, e cila deri më tani ka qenë në kompetenca të Agjencisë Kosovare për Privatizim (AKP).

Lajme

14/01/2015 11:10

Ministri për Zhvillim Ekonomik, Blerand Stavleci, ka thënë se me ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për ndërmarrje publike, me propozim të Qeverisë, Kuvendi i Kosovës tani mund të marrë vendim që të heqë nga kompetenca e Agjencisë Kosovare për Privatizim ndonjë ndërmarrje shoqërore ose ndonjë njësi të organizuar shoqërore përfshirë dhe asetet e tyre.

Stavileci ka thënë se Kuvendi më pas mund të autorizojë Qeverinë që këto ndërmarrje shoqërore, përkatësisht njësitë organizative shoqërore të saj t’i regjistrojë si ndërmarrje publike qendrore në pronësi të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu sipas këtij plotësim-ndryshimi, sipas ministrit Stavileci përcaktohet që ndërmarrja publike të regjistrohet si e tillë dhe merr përsipër vetëm ato detyrime ndaj palëve të treta të cilat një Tribunal i Arbitrazhit ose një gjykatë kompetente përfundimisht cakton si detyrime të kësaj ndërmarrjeje publike.

Qeveria e ka miratuar këtë vendim, i cili më pas do t’i dërgohet për miratim edhe Kuvendit të Kosovës.