Kryeministri Mustafa: Qosja një rrenc i madh, ka nevojë për psikiatri
Kryeministri Isa Mustafa, akademikun Rexhep Qosja e ka quajtur një rrenc të madh, pasi ky i fundit e akuzoi atë si bashkëpunëtor të Sllobodan Millosheviqit.
Lajme
Mustafa i është kundërpërgjigjur akademik Qosjes, duke thënë se ky njeri është një rrenc i madh, dhe ka nevojë për psikiatri.
Kryeministri ka mohuar akuzat e Qosjes, duke thënë se nuk ishte ish zyrtar i Millosheviqit, por viktimë e regjimit të tij.
Reagimi i plotë i kryeministrit Isa Mustafa, postuar në faqen e tij në Facebook:
Rexhep Qosja, qenka tmerruar katërmbëdhjetë herë që unë jam zgjedhur Kryeministër dhe që Z. Thaçi ma ka dorëzuar detyrën. Herën e pesëmbëdhjetë Qosja le të shkojë te psikiatri.
Regjimi i Millosheviqit më ka ndjekur me padi penale dhe fletëarrest për cenim të integritetit territorial të ish Jugosllavisë dhe jam detyruar të dal e të jetoj 9 vite në ekzil, e Qosjen nuk e ka prekur askush në Prishtinë.
Një rrenc i madh, si Rexhep Qosja dhe vetëm një mendje e degjeneruar si e tij, mund të prodhoj vrasës, armiq, ashtu siç kanë prodhuar njerëzit e UDB-as jugosllave, e sigurimit shqiptar. Me këtë logjikë Qosja kallte Shqipërinë në vitin 1997, dhe vazhdoi të sulmojë Ibrahim Rugovën e çdo bashkëpunëtor të tij.
Kur shoh se sa i tmerruar është Qosja, mburrem dy herë më shumë që unë jam Kryeministër i Republikës së Kosovës, sepse nuk kam asgjë të përbashkët me të.