119 persona humbën jetën në aksidente rrugore në vitin 2013

Vetëm në vitin 2013 nga aksidentet në komunikacionin rrugor në Kosovë, kanë humbur jetën 119 persona dhe 9813 persona kanë marrë lëndime trupore.

Lajme

16/11/2014 14:45

Çdo vit më në të dielën e tretë të muajit nëntor shënohet Dita Botërore e përkujtimit të viktimave në komunikacion rrugor.

Kjo ditë  daton nga viti 1993 nga Road-Peace dhe është miratuar nga Kombet e Bashkuara në vitin 2005, e cila që nga ajo kohë njihet si ditë ndërkombëtare e përkujtimit të viktimave në aksidentet rrugore.

Lidhur me këtë ditë Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se është e angazhuar në ngritjen e nivelit të sigurisë në përgjithësi, veçanërisht Divizioni i Komunikacionit Rrugor është i përkushtuar në ngritjen e nivelit të sigurisë në komunikacionin rrugor, gjegjësisht në parandalimin e aksidenteve të kësaj natyre.

“Qëllimi i shënimit të kësaj dite është sensibilizimi i qytetarëve, në veçanti i pjesëmarrësve në komunikacionin rrugor, pa marrë parasysh cilësinë e tij, shofer, pasagjer dhe këmbësorë, që së bashku të kontribuojmë për një siguri më të madhe në komunikacionin rrugor”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Më tej thuhet se Dita Botërore e përkujtimit të viktimave në komunikacionin rrugor është një përkujtues i fuqishëm dhe prekës për të gjithë në lidhje me rëndësinë e punës që duhet të bëjnë policia  së bashku për të përmirësuar sigurinë rrugore.

“Policia e Kosovës ka qenë dhe vazhdojnë të jenë të përkushtuar për të ofruar siguri për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacionin rrugor, por është e nevojshme ndihma e të gjithëve, që numri i viktimave të cilët përkujtohen në këtë ditë, të jetë sa më i vogël”, thuhet në komunikatën për media të Policisë së Kosovës.

Policia gjithashtu apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë dispozitat e lëmit të komunikacionit rrugor .