BDI dhe PDSH nuk e duan “Besën”

Partitë politike më të mëdha shqiptare në Maqedoni, BDI dhe PDSH nuk mendojnë se nevojitet një forcë e re politike shqiptare në këtë shtet. 

Lajme

01/11/2014 10:22

Nisma për krijimin e një lëvizje të re shqiptare në Maqedoni e quajtur “Besa”, duket se nuk po u pëlqen fort dy liderëve kryesorë aktual shqiparë, Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit.

Që të dy këta liderë, tashmë e kanë ndarë elektoratin e tyre, dhe thonë se nuk u nevojitet një parti e tretë për shqiptarët e Maqedonisë, ndonëse edhe për asnjë çast, ata nuk kanë sqaruar opinionin se çfarë ka ndryshuar statusi juridiko – politik për të mirën e shqiptarëve, edhe tani kur njëri prej tyre i ka 20 deputetë në Kuvend, raporton Almakos.

Në një intervistë për Portalb, në këtë linjë mendon edhe deputetja e BDI-së, Nora Aliti e cila thekson se nuk ka nevojë shoqëria shqiptare e Maqedonisë, për lëvizje të reja politike, por se mjaftojnë këto ekzistuese.

“Lëvizja nuk krijohet por ndodh. ‘Besa’ mund të jetë një parti politike por jo lëvizje. Në Maqedoni nuk ka hapësirë për parti të reja politike sepse përçajnë votën dhe humbim ne shqiptarët. Më shumë do të humbim se do të fitojmë. Ndërkaq, nuk na frikëson reformimi që po bën Sela, por në të kundërtën është mirë të kemi një opozitë të fuqishme”, – thekson Aliti.

Kohëve të fundit, është parë edhe një lëvizje e re brenda PDSH-së së Menduh Thaçit, e cila po kryesohet nga kryetari i Strugës, Ziadin Sela, transmeton lajmi.net.

Përmes kësaj lëvizje, Sela po kërkon reformimin e PDSh-së. Mirëpo në zgjedhjet e fundit partiake, kryetar është rizgjedhur Menduh Thaçi, duke ja pamundësuar kështu ambicien Selës, që njihet si reformator brenda partisë dhe në përgjithësi i skenës politike shqiptare në Maqedoni.