Brovina, nuk ka seancë pa marrëveshje

Kryesuesja e Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina ka rikonfirmuar qëndrimin e saj se nuk do të ketë thirrje të seancës pa marrëveshje të liderëve të subjekteve politike.

Lajme

31/10/2014 21:13

Brovina kërkon një marrëveshje mes partive për zgjedhjen e kryetarit para se të shkohet në vazhdimin e seancës konstituive.

“Ajo kërkon një marrëveshje në mes të partive, ta votojnë Kryetarin e parlamentit sipas Rregullores së Punës, sipas Kushtetutës dhe përgjegjës së Gjykatës Kushtetuese’, tha Brovina.

Brovina thotë se nuk janë të nevojshme nënshkrimet e deputetëve të Bllokut për thirrje të seancës dhe se ajo çfarë nevojitet mbetet marrëveshja e liderëve politikë për zgjedhjen e organeve drejtuese të Kuvendit të Kosovës.

“Dihet kush e ka të drejtën, por duhet me pas konsensus që ta votojnë atë që ka të drejtën. Në të kundërtën dihet se Partia Demokratike si fituese e zgjedhjeve ka mundësi të propozoj edhe nga partitë tjera nëse ka marrëveshje mes tyre. Pra ka shumë variante që ta votojmë Kryetarin e Parlamentit por së pari duhet të merremi vesh”, tha ajo për RTK.