Konsumo prodhimet vendore!

Aleanca Kosovare e Bizneseve, në kuadër të “Javëve të Biznesit Kosovar”, ka organizuar të premten në “Grand Hotel”, në Prishtinë, një ekspozim të produkteve të bizneseve vendore.

Lajme

31/10/2014 15:29

Në këtë ekspozitë, ku me produktet e tyre ishin të pranishme shumë biznese vendore, u tha se politikat fiskale të favorshme dhe rritja e cilësisë së prodhimeve, do të përmirësojnë kushtet për bizneset vendore.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, tha se kjo aleancë do të jetë përkrah të gjitha atyre bizneseve që kanë iniciativa dhe prodhim, dhe se kudo që të shkojnë do të mbizotëron slogani “Konsumo prodhimet vendore”, për të mirën e bizneseve dhe të Kosovës.

Shahini ka premtuar se Aleanca Kosovare e Bizneseve do të ekspozojë prodhimet kosovare jo vetëm në vendet e rajonit, por edhe në shtete tjera evropiane, sidomos atje ku është e përqendruar diaspora shqiptare, e cila sipas tij gjithmonë ka qenë e gatshme të ndihmojë edhe me projekte.  

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve po ashtu iu ka bërë thirrje institucioneve që të ndihmojnë më tepër bizneset vendore, duke shprehur keqardhje që legjislacioni i tyre nuk i ka bërë ndryshimet e nevojshme ligjore në mbrojtje të prodhimeve vendore. /lajmi.net/