Politikanët kosovarë vazhdojnë të pasurohen

Lëvizja FOL ka prezantuar pasurinë e politikanëve kosovarë. Sipas të dhënave të FOL, në kategorinë e krerëve të lartë shtetërorë, prinë zëvendëskryeministrit Behxhet Pacolli , e pas tij kryeministri Thaçi. Ndërkaq nga radhët e deputetëve më i pasur është Ramiz Kelmendi.

Lajme

31/10/2014 14:36

Politikanët kosovarë vazhdojnë të pasurohen dita ditës. Brenda katër viteve, politikanët tanë janë pasuruar për rreh 2 mijë e 449 për qind më shumë.

Kështu pohoi Fidan Kalaja, nga Lëvizja “Fol”, në një konferencë për media, ku ka prezantuar të dhënat e përditësuara të deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik për vitet 2010-2014, në kuadër të Platformës së Deklarimit dhe Krahasimit të Pasurisë.

Sipas të dhënave të prezantuara nga “FOL”, kryetarët e Komunave të zgjedhur në 2013 janë 30 për qind më të pasur. Më të pasur janë edhe pjesëtarët e kabinetit qeveritar dhe deputetët me 15 gjegjësisht 2.2 për qind.

Kalaja tha se në këtë platformë janë të përfshirë pasuritë e 307 zyrtarëve të lartë publik, ku janë kategorizuar në katër kategori.

Në kategorinë e krerëve të lartë të shtetit janë të përfshirë presidenti i Kosovës, kryeministrat dhe zëvendëskryeministrat prej periudhës 2010-2014.

Ndërsa, në kategorinë e Kuvendit të Kosovës, janë përfshirë pasuria e deputeteve të Kosovës në tri legjislatura, kategorinë e kabinetit qeveritar 2008-2011 dhe 2011-2014 dhe kategorinë e kryetarëve të komunave 2009-2013.

Kalaja theksoi se në përgjithësi pasuria e këtyre 307 zyrtarëve të lartë që janë përfshirë në këtë platformë në vitin 2010 ka qenë 15 milionë e 977 mijë euro. Ndërsa, totali i pasurisë së zyrtarëve të lartë për vitin 2014 ka qenë rreth 407 milionë euro, ose 2449 për qind më e lartë se ajo e vitit 2010.

“Në këtë kategori prin pasuria e zëvendëskryeministrit Behxhet Pacolli, prej 215 milionë euro. Pasuria me radhë është ajo e kryeministrit Hashim Thaçi me 694 mijë euro dhe pasuria e Presidentes së Kosovës me 134 mijë euro…. Ndërsa, pasuria e deputeteve të kësaj legjislatura është rreth 146 milionë euro apo 2.23 për qind më e lartë se pasuria e legjislaturës së kaluar.

Në legjislaturën e re për nga pasuria prin deputeti Ramiz Kelmendi, me totalin e pasurisë prej 46 milionë euro. I dyti është Hamza Balje me totalin e pasurisë prej 4.9 milionë euro dhe e treta është deputetja Blerta Deliu-Kodra , me totalin e pasurisë prej 2.8 milionë euro.

Tek kategoria e kabinetit të anëtarëve të kabinetit qeveritar….. Në këtë kategori për nga pasuria e deklaruar prin pasuria e zëvendësministrit të ministrit të zhvillimit ekonomik Ramadan Hasani, me totalin e pasurisë prej 2.5 milionë euro, i dyti është zëvendësministri i ministrisë së administratës publike, Nexhmedin Kastrati me totalin e pasurisë prej rreth 2 milionë euro dhe i treti është ministri në detyrë i planifikimit hapësinor, Dardan Gashi me pasuri prej 1.1 milion euro”, ka pohuar Kalaja, raporton Kosovapress.

Ndërsa, sa i përket kryetarëve të komunave, Kalaja tha se prej kryetarëve të rinj, prin pasuria e kryetarit të Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri me 7.6 milionë euro, pasuar nga kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri me 2.4 milionë euro, kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, i cili ka një total të pasurisë me rreth 2 milionë euro.

Ai po ashtu tha se gjatë përditësimit të të dhënave, ata kanë hulumtuar dhe disa aspekte të ndjeshme, sa i përket mos deklarimit apo deklarimit të rrejshëm të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik dhe se është vërejtur që shumë nga zyrtarët, e sidomos ata të rinj, nuk e kanë deklaruarpasurinë e tyre.

Ndryshe, gjatë këtij prezantimi u tha se gjatë procedimit të të dhënave të pasurisë së zyrtarëve të lartë, është vërejtur se disa shifra të formularët e agjencisë nuk kanë qenë në rregull. Kështu që FOL kërkon nga Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK), që të jap sqarime për disa shifra të pasurisë së Lutfi Hazirit, të cilit në formularë i është prezantuar paga për 2013 në vlerë prej 96 000 euro, Fadil Ismajli paga prej 7 000 euro, Begzad Sinanit, shtëpia në vlerë prej 8640 euro, Gani Kocit banesë në vlerë prej 5912 euro dhe Biserka Kostiq, e cila në vitin 2014 ka deklaruar pagat vjetore për 4 vitet e fundit, e të cilat nuk janë të njëjta me formularët e viteve të kaluara.

(KosovaPress)