Flori nuk mohon takimin me sekserët

Ish-prokurorja e EULEX-it, Maria Bamieh dhe ish-gjykatësi Fracesko Flori janë përballur për pretendimet e prokurores angleze se Flori ka qenë i përfshirë në afera korruptive, saktësisht ka marrë para për të mbyllur disa raste.

Lajme

30/10/2014 19:22

Në emisionin Rubikon të KTV-së, Fracesko Flori e quan vetën naiv që ishte takuar me Ejup Kamberin rreth 6 herë, por mohon pretendimet e Bamieh se kishte fituar para nga sekserët si Kamberi e të tjera për të mbyllur raste politike në vend.

Flori është përballur me prokuroren Maria Bamieh e cila po e akuzon atë për kurdisje gjykimesh. Ndërkohë Bamieh është e vendosur se pretendimet e saj janë të bazuara dhe se EULEX-i duhet të jap përgjegjësi për shumë çështje.

Nga Udine e Italisë, Fracesko Flori ka demantuar pretendimet e Bamieh, por nuk e ka mohuar faktin se është takuar rreth 6 herë me Ejup Kamberin dhe në takimin e parë dhe të fundit ai i kishte folur për rastin Limaj respektivisht atë të Ilir Tolajt.

Flori thotë se është treguar ndoshta pak naiv, por mohon faktin se kishte marr para për të mbyllur raste. Por Bamieh thotë se ekzistojnë faktet e bazuar për pretendimet e saj.

Deri sa Fracesko Flori, është shprehur i gatshëm që të bashkëpunojë me drejtësinë e EULEX-it, pasi sipas tij, kjo punë është zgjatur shumë dhe pretendimet e Bamieh i quan tregim gangsterësh.

E Maria Bamieh e cila pretendon të bëhet një Julian Asange thotë se EULEX-i duhet të jap shumë llogari për shumë gjëra në Kosovë, raporton KTV.