Kush do ta thërrasë seancën?

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i cili e konsideron jokushtetues zgjedhjen e Isa Mustafës në postin e kryetarit të Kuvendit, ka hapur shumë dilema se kush do ta thërrasë seancën e ardhshme të Kuvendit. 

Lajme

26/08/2014 09:53

Kushtetuta nuk e parasheh se kush do ta thërrasë seancën në një situatë të tillë.

E dilema në këtë pikë kanë edhe njohësit e çështjeve kushtetuese, shkruan sot e përditshmja Tribuna.

Ata shpresojnë që vendimi final i Kushtetueses do t’i sqarojë shumë dilema të ngritura që nga publikimi i vendimit të saj në uebfaqen zyrtare.

Eksperti kushtetues, Riza Smaka, thotë se gjykata ka gabuar që nuk e ka shpallur komplet aktgjykimin, por vetëm një pjesë të tij, duke ngjallur kështu shumë dilema në opinion.

Sidoqoftë, ai thotë se nëse gjykata vendos që duhet të përsëritet procedura e mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit, atëherë sipas tij, Kryesia e vjetër e Kuvendit, është ajo e cila duhet ta thërrasë seancën.

“Pastaj deputetja me e moçme me deputeten më të re duhet ta udhëheqin seancën, normalisht duke respektuar agjendën që e përcakton Kryesia e vjetër”, ka thënë Smaka.

E në rast që gjykata vendos vetëm për vazhdim të seancës, atëherë sipas Smakës, seanca mund të thirret nga Flora Borvina si udhëheqëse e seancës konstituive më 17 korrik.