Protestat në Shkup marrin përkrahjen e shoqatave dhe personaliteteve publike

Dhjetëra shoqata të profileve të ndryshme do të mbështesin protestat që do të mbahen sot në Shkup. Në përkrahje të protestuesve kanë dale edhe disa figura publike.

Lajme

11/07/2014 13:56

Protesta e shqiptarëve që do të mbahet sot në Maqedoni, ka marrë mbështetjen edhe të disa shoqatave dhe personaliteteve publike edhe nga një numër i madh i shoqatave shqiptare në diasporë. Ndërkaq mediat në Maqedoni raportojnë për numër të madh të forcave të sigurisë në vendin ku është planifikuar të mbahet protesta.

Protesta ka marrë përkrahjen e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Lidhjes së Diasporës Shqiptare në Maqedoni (LDSHM), Unioni Studentor Shqiptar,  Aleanca Kuq e Zi, IGFM, grupimet e tifozëve të klubeve shqiptare, etj.

Këto shoqata përmes thirrjeve të tyre apelojnë për masivitet sa më të madh në protestën e ditës së sotme, por edhe protestim me dinjitet dhe pa dhunë, duke shprehur revoltën me moton ‘stop diskriminimit dhe drejtësisë selektive ndaj shqiptarëve në Maqedoni, raporton lajmpress.com

“Apelojmë te të gjithë pjesëmarrësit në këtë protestë që të shprehin revoltën e tyre me maturi, në formë paqësore dhe me dinjitet ashtu siç i ka hije shqiptarëve si dhe të përmbahen nga çdo provokim i cili do devijonte qëllimin e protestës”.  

“Çdo devijim i protestave dhe manifestimi i tyre me anë të dhunës është në dëm të dënuarve padrejtësisht në rastin ‘Monstra’ diskriminimit politik dhe shoqëror të shqiptarëve në Maqedoni. Prandaj, apelojmë që mesazhi i protestës të jetë i qartë dhe me dinjitet duke shprehur paqësisht revoltën ndaj të gjitha padrejtësive që i bëhen shqiptarëve”.

“Po ashtu Qeverisë të Maqedonisë i bëjmë apel që mesazhin e këtyre protestave ta kuptojë drejt dhe njëherë e përgjithmonë ti japë fund diskriminimit individual dhe kolektiv të shqiptarëve në Maqedoni”, theksohet në apelin e njërës nga shoqatat përkrahëse.

OVL e UÇK-së ka ftuar liderët e partive politike dhe deputetët që të lënë zënkat midis tyre dhe sot të jenë në ballë të protestave, pasi që kanë marrë legjitimitetin e këtij populli.

Po ashtu mediat në Maqedoni raportojnë për numër të madh të forcave të sigurisë në vendin ku është planifikuar të mbahet protesta.