Mustafa: PDK-ja nuk e kushtëzon presidentin me projektligjin për Specialen

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka mohuar se PDK-ja po e kushtëzon çështjen e zgjedhjes së presidentit me miratimin e projektligjit për Dhomat e Specializuara. Në “RTK Prime”, Mustafa tha se për PDK-në çështja e Hagës dhe ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara janë aktualisht prioritete. “Ne kemi thënë qartë që…

Lajme

30/09/2026 23:46

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka mohuar se PDK-ja po e kushtëzon çështjen e zgjedhjes së presidentit me miratimin e projektligjit për Dhomat e Specializuara.

Në “RTK Prime”, Mustafa tha se për PDK-në çështja e Hagës dhe ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara janë aktualisht prioritete.

“Ne kemi thënë qartë që për Partinë Demokratike të Kosovës, tema më e rëndësishme sot në Kosovë, prioritet mbi prioritete, është çështja e Hagës, është plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara”, tha Mustafa.

“Ne nuk e kemi kushtëzuar askënd. Është e pandershme të futen në një kuti çështja e projektligjit për Dhomat e Specializuara dhe çështja e presidentit”, tha ai.

Mustafa bëri me dije se PDK-ja ka ndryshuar qëndrimin për pjesëmarrjen në diskutimet për zgjedhjen e presidentit.

“E kemi ndryshuar qëndrimin, jemi të gatshëm të kthehemi në tavolinë për të diskutuar për postin e presidentit”, tha Mustafa.

Sipas tij, PDK-ja nuk ka thënë se do ta votojë projektligjin në këmbim të votimit për presidentin.

Ai sqaroi edhe deklaratën e kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, për 22 votat e deputetëve të kësaj partie.

“Ka thënë: ‘Në rast se gjejmë një marrëveshje, atëherë unë flas për 22 deputetë’”, tha Mustafa.

Mustafa përsëriti se miratimi i projektligjit duhet të trajtohet si çështje shtetërore dhe jo partiake, ndërsa pas kësaj, sipas tij, mund të hapet rruga për diskutime politike rreth presidentit.