Arbnori do të bëhej zëdhënës i Komunës së Prishtinës

Arbnori Dehari ishte më i miri në intervistë për zëdhënës të Komunës së Prishtinës. Por, dy javë para se t’ia niste punës, ai vdiq. Më 11 qershor, ra nga kati i pestë i ndërtesës ku banonte në lagjen Mati 1. Vdekja e tij ende ka mbetur e pasqaruar.

Lajme

20/06/2014 09:21

Komuna e Prishtinës pati hapur konkurs për një zyrtar të lartë për media qysh para disa muajve. Iniciativa e parë pati dështuar në mungesë të konkurrimit.

Ndërsa, ishte rishpallur përsëri më datë 20.03.2014. Pak ditë para se të vdiste, Dehari ishte përzgjedhur në mesin e disa kandidatëve me më së shumti pikë.

Ai ka qenë i ngarkuar me vite si anëtar i Sekretariatit për Media dhe Komunikim të Lëvizjes Vetëvendosje.

Prej vitit 2012 ka qenë sekretar organizativ i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë.

Por, kishte punuar si gazetar edhe në disa media vendore. Ndërkaq, konkursin për zyrtar të lartë për media në Komunë e kishte udhëhequr ish-shefi i Inspektoratit, tash shef i personelit, Qazim Çunaku.

Ushtruesi i Detyrës i zyrtarit për Marrëdhënie me Publikun në Komunë e Prishtinës, Adonis Tahiri, ka kontratë mbi vepër me Komunën vetëm edhe për javën tjetër, andaj tash Komuna ka menduar për një formë më të shpejtë të emrit të zyrtarit për komunikim me publikun. /Tribuna/