Aderimet nga shoqëria civile, kush dështoi e kush arriti të hyjë në Kuvend
Shumica e aderimeve nëpër parti politike nga shoqëria civile, nuk kanë arritur të hyjnë në Kuvend. Edhe pse ata u prezantuan si prurje që e pasurojnë politikën, elektorati duket se nuk preferoi t’i zgjedh për përfaqësues të tyre.
Lajme
Partitë politike para zgjedhjeve të 8 qershorit, ndër pikat kryesore të fushatës së tyre, kishin sjelljen në polikë të pjesëtarëve nga shoqëria civile.
Një pjesë e madhe e tyre u futën edhe në listat për deputetë të këtyre partive politike. Por shumica nga ta, në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të 8 qershorit, të siguruar nga lajmi.net, duket të mos kenë arritur të bëhen përfaqësueses të popullit në Kuvendin e Kosovës.
PDK
Nga Partia Demokratike e Kosovës në Kuvend ka hyrë Margarita Kadriu me 5 167 vota, e cila në politikë u inkuadrua, duke braktisur postin e drejtoreshës dhe kryeredaktores në gazetën Kosova Sot.
Ndërsa aderimi tjetër në PDK nga shoqëria civile, aktivistja për mbrojtjen e të drejtave të grave, Luljeta Vuniqi mori vetëm 855 vota, duke mos arritur të zgjidhet deputete.
LDK
Lidhja Demokratike e Kosovës, ishte ndër partitë që listën e saj zgjedhore e pasuroi më së shumti me emra nga shoqëria civile.
Por thuajse asnjëri prej tyre nuk arritën të mundin gardën e vjetër të partisë, për t’u bërë deputetë në legjislaturën e re të kuvendit.
Bardhyl Meta si më i votuari nga të inkuadruarit e ri në LDK, duket se për pak vota do të ngelet jashtë Kuvendit. Ai arriti të marrë 5 863 vota.
Valon Murtezaj profesor universitar, mori 5 448, të pamjaftueshme për t’u bërë depuet.
Njejtë pësuan edhe gazetari Bajrush Morina me 4 041 vota, Bajram Gecaj 3 743, Valon Maloku 2 579 dhe Drita Konxheli – Radoniqi 2 015 vota.
VV
Pjesëtarët nga shoqëria civile, duket se janë pritur më mirë nga elektorati i Lëvizjes Vetëvendosje.
Ilir Deda, ish drejtor i OJQ-së “KIPRED”, ka dalë të jetë ndër më të votuarit në këtë subjekt politik. Ai është deputet i ri i Kuvendit, me 11 662 vota.
Gjithashtu në Kuvend ka arritur të hyjë edhe ish pjesëtarja tjetër e shoqërisë civile, Shqipe Pantina, me 3 085 vota.
Jashtë Kuvendit ka mbetur gazetarja Erleta Hoti, e cila ka marrë 2 501 vota.
AAK
Numrin e votave të mjaftueshme për t’u bërë pjesë e Kuvendit, nuk ka arritur ta sigurojë as prurja e AAK-së nga shoqëria civile, Laura Kryeziu-Selimi. Atë e kanë votuar vetëm 1 113 qytetarë.
Ndërkohë kanë mbetur të numërohen edhe votat me kusht dhe me postë, prandaj Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mund ta bëjë certifikimin e rezultateve derisa Qendra e Numërimit të Rezultateve t’ia konfirmojë se kanë përfunduar i gjithë procesi i numërimit të votave. (lajmi.net)