Rama në kundërofensivë: Ish ministrat e Berishës do dërgohen në Prokurori

Disa ish ministra të qeverisë Berisha dhe zyrtarë të tjerë të lartë pritet të dalin para drejtësisë për akuzat mbi trafikun e drogës. Deklarata është bërë nga kryeministri Rama gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste. 

Lajme

02/06/2014 19:59

Disa ish ministra të qeverisë Berisha dhe zyrtarë të tjerë të lartë pritet të dalin para drejtësisë për akuzat mbi trafikun e drogës. Deklarata është bërë nga kryeministri Rama gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

Para se Komisioni Evropian të publikojë raport-progresin për Shqipërinë, draft që do të përcaktojë marrjen ose jo të statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, kryeministri Edi Rama tha se nuk ka asnjë arsye të dyshohet në faktin se raport-progresi do të flasë qartë për atë që është bërë këta muaj të fundit.

\”Për ne, në rast se raport-progresi do konfirmojë se qeveria i ka përmbushur të gjitha kërkesat e shkruara për Shqipërinë, qysh para dhjetorit, duke nënvizuar se trendi është ai i stabilizimit të bilancit pozitiv, do të thotë që e kemi kryer detyrën\”, tha Rama, njofton KosovaPress.

Por, ndryshe nga pritjet në Tiranë, Komisioni Europian njoftoi se raporti për statusin e Shqipërisë nuk do të publikohet më 3 qershor, por në fund të kësaj jave.

Zëdhënësi i komisionarit për zgjerim, Peter Stano i tha TV News24 se raporti është në procedurë të miratimit dhe pritet të miratohet nga fundi i kësaj jave.

Stano theksoi se raporti do të shërbejë si bazë për diskutimet e vendeve anëtare në Samitin e Këshillit Europian më vonë gjatë këtij muaji, kur ata do të vendosin për statusin e vendit kandidat.

Stano njoftoi ndër të tjera se nuk bëhet fjalë për një raport-progresi, por për një raport që vendet e BE-së i kanë kërkuar Komisionit Europian të përgatisë një përmbledhje të përpjekjeve të qeverisë shqiptare dhe progresin e arritur në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe reformës gjyqësore.

Ndërkohë, lidhur me çështjen e trafikut të drogës në Shqipëri, edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka thirrur sot tryezën e Aleancës Kombëtare Kundër Drogës.

Në takim me shoqërinë civile, medien dhe botën akademike, janë propozuar iniciativa konkrete kundër trafikut e karteleve të drogës, si dhe kundër përfshirjes në administratë e në zgjedhje të narko-trafikantëve.

“Paratë e drogës, që si rregull përfundojnë në duart e një grushti oligarkësh, përdoren për të rifinancuar e zgjeruar aktivitetin kriminal. Paratë e drogës përdoren për të blerë zgjedhjet, për të blerë vendimmarrjen politike dhe ekzekutive, për të ‘zbardhur’ narko-trafikantët në Kuvend, në organet dhe agjencitë ekzekutive”.

“Para të pista, zgjedhje të pista, pushtet i pistë!”, përfundoi Basha.

(Kosovapress)