Sigal Prishtina – Peja 1:0

Sigal Prishtina mposhti Pejën me rezultat 72:66, dhe kaloi në epërsi prej një fitoreje në finalen e Play-Offit në Superligën e Kosovës në basketboll. Blerim Mazreku ishte më efikasi tek kryeqytetasit me 20 pikë.

Sport

21/05/2014 23:39

Sigal Prishtina mori kontrollin. Skuadra bardh e kaltër mposhti Pejën me rezultat 72:66 në ndeshjen e parë finale të Play-Offit në Superligën e Kosovës në basketboll.

Në një duel ku të dyja skuadrat zhvilluan lojë më të zbehtë nga ajo e zakonshmja, vendasit e dominuan ballafaqimin dhe krijuan epërsi prej deri në 20 pikë, por Peja nuk u dorëzua dhe shfrytëzoi gabimet e kundërshtarit duke e bërë të paqartë fituesin deri në minutën e fundit.

Sigal Prishtina u shkëput në rezultat menjëherë në çerekun e parë të cilin e fitoi me rezultat 23:14, kurse edhe periudha e dytë e lojës i takoi vendasve që e mbyllën me avantazh të përgjithshëm 39:24.

Por, periudha e tretë e lojës i takoi mysafireve që e fituan me rezultat 21:14 dhe e ngushtuan disavantazhin në 53:45.

Në çerekun e katërt, Sigal Prishtina ruajti avantazhin edhe pse Peja u afrua deri në gjashtë pikë, por nuk ia rrezikoi fitoren kryeqytetasve që i lë ata në pozitë komode para ndeshjes së dytë në Karagaçi.

Qendra Blerim Mazreku ishte basketbollisti më efikas te Sigal Prishtina me 20 pikë. Pikë dyshifrore shënuan edhe Dardan Berisha e Edmond Azemi nga 10.

Në çerekun e dytë, vendasit humbën amerikanin Tay Waller i cili pësoi një lëndim dhe e përfundoi ndeshjen. Te Peja, më efikasi ishte Gerti Shima me 19 pikë. George Oduëufa shtoi 17 pikë, kurse Samir Shaptahovic kontribuoi me 13 pikë.