Kurrë s’i lëshojmë bjeshkët e Rugovës!
Demarkacioni i kufirit të Kosovës me Malin e Zi ka dështuar. Së paku për pjesën e brezit kufitar përgjatë territorit të Komunës së Pejës, kanë rënë në ujë 27 takimet e zhvilluara tri vitet e fundit ndërmjet dy komisioneve ndërshtetërore.
Lajme
Këto dy komisione për përcaktimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi janë takuar herën e fundit vjeshtën e kaluar dhe është krijuar përshtypja se marrëveshja ka qenë pothuajse e arritur.
Mirëpo, njëri prej anëtarëve të komisionit kosovar e ka përmbysur tërë procesin.
“S’ka dhe nuk mund të ketë asnjë marrëveshje për demarkacionin e kufirit në brezin kufitar përgjatë territorit të Komunës së Pejës me Malin e Zi”, thotë përfaqësuesi i Komunës së Pejës, në komisionin kosovar, Ali Lajçi.
Ai ka detyrën e vëzhguesit dhe këshilltarit në Komisionin e Kosovës për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi.
Arsyeja e refuzimit, sipas Lajçit, është plani i njëanshëm i Malit të Zi për vijën kufitare dhe ky version, siç tha ai, kurrë nuk do të pranohet.
“Takimet e deritashme janë të pavlefshme dhe kurrë nuk do të pranohet asnjë version pa pajtimin e banorëve”, tha Lajçi për Tribunën.
Në këtë mënyrë, ai paraqet jo vetëm qëndrimin e vet, por edhe të banorëve që kanë prona të veta në atë zonë, të cilat i kanë takuar Kosovës edhe në të kaluarën, dhe të cilat prej shekujsh janë të rugovasve.