Rudiger prezantohet te ‘Mbretërit’: Biseda me Ancelottin ndikoi që të zgjedh Real Madridin
Antonio Rudiger sot është prezantuar si lojtari më i ri i gjigantit spanjoll, Real Madrid.
Sport
Qendërmbrojtësi gjerman, iu bashku ‘Mbretërve’ si një lojtar i lirë, pasi i skadoi kontrata me Chelsea.
Disa klube kishin shfaqur interesim për të, por ai zgjodhi të luajë në ‘Santiago Bernabeu’.
Si një lojtar tashmë i Realit, Rudiger tha se do të bëjë gjithçka për fanellën madrilene.
“Së pari dua të iu them që do të japë maksimumin tim. Dua të falënderoj familjen time, presidentin dhe bashkëlojtarët e mi”, tha fillimisht gjermani, përcjell lajmi.net.
Lojtari gjithashtu zbuloi se kur kishin shfaqur ‘Los Blancos’ interesim për të dhe kur e kishte marrë ai vendimin.
“Hera e parë që ata kontaktuan agjentin tim ishte në shtator të vitit të kaluar. Herën e dytë, në prill, kur fola me Ancelottin. Ky ishte momenti më i rëndësishëm, ishte në këtë moment që vendosa të luaja për Madridin”, vazhdoi ai.
Në Ligën e Kampionëve Real Madridi dhe Chelsea u përballen në çerekfinale, ndërsa qendërmbrojtësi u pyet se si u ndje në atë takim.
“Ishte një lojë e veçantë, shumë intensive. Ishte hera e parë që luaja në Bernabeu dhe për mua kishte emocione të pabesueshme. Pas golit të tretë, ishte ende një atmosferë e mirë në stadium. Kam pasur shumë emocione dhe sot është një ditë e pabesueshme për mua”, ishin fjalët e Rudiger.
29 vjeçari gjithashtu tregoi se edhe Barcelona kishte shfaqur interesim, por zgjodhi ‘Mbretërit’ para tyre.
“Barca më telefonuan, por unë i thashë agjentit tim që dua të luaj në Real Madrid”, përfundoi gjermani.
Antonio Rudiger do të ketë numrin 22 në sezonin e ardhshëm me ekipin madrilen./Lajmi.net/