9 gabimet që duhet të shmangni gjatë përgaditjes së ëmbëlsirave
Ndodh që kur një amvisë të nisë të bëjë një ëmbëlsirë e pasi zbulon që i mungon një përbërës, vendos ta heqë fare apo ta zëvendësojë me diçka tjetër.
Lifestyle
Përgatitja dhe pjekja e një ëmbëlsire perfekte është një mision i vështirë por shumë fitimprurës në aspektin e kënaqësisë, shkruan “AgroWeb”.
Gjithçka duhet të jetë në perfeksion, që nga masat, sasia dhe cilësia e produkteve të përdorura për të përgatitur një ëmbëlsirë nga ato që të bëjnë të lëpish gishtat, transmeton lajmi.net.
Ndodh që kur një amvisë të nisë të bëjë një ëmbëlsirë e pasi zbulon që i mungon një përbërës, vendos ta heqë fare apo ta zëvendësojë me diçka tjetër.
Rezultati dihet. Ëmbëlsira nuk del ashtu siç duhet të dilte.
Nuk e Lyejnë Tavën Me Yndyrë Dhe Miell
Një nga gabimet që bëjnë amvisat është që tavën e ëmbëlsirës nuk e yndyrosin dhe as e spërkasin mjaftueshëm me miell.
Ky hap është shumë i rëndësishëm dhe nuk duhet shmangur.
Nuk e Kalojnë Miellin Në Sitë
Kalimi i miellit në sitë është shumë i rëndësishëm sepse largon krundet dhe grimcat e trasha të miellit.
Kjo gjë nxit edhe ardhjen më të mirë të brumit.
Nuk e Përziejnë Brumin Mirë
Përzierja e përbërësve të ëmbëlsirës duhet të jetë e mirë dhe e vazhdueshme që të sigurohet që masa kremoze të mos ketë copëza të patretura dhe të jetë e njëtrajtshme.
Pas përzierjes së sheqerit dhe gjalpit, të gjithë përbërësit e tjerë të thatë duhen hedhur dhe përzier me delikatesë.
Nuk Vendosin Letër Pjekjeje
Një nga metodat më të mira të lehtësimit të nxjerrjes së kekut nga tava është vendosja e letrës së pjekjes.
Prania e saj është shumë e rëndësishme për ëmbëlsirat me një përbërje të dendur por të butë.
Nuk e Tundin Tavën
Pasi të keni sheshuar sipërfaqen e kekut, ju duhet të tundni tavën lehtë në mënyrë që bulëzat e ajrit të ngecura në brendësi të eliminohen.
E Hapin Furrën Gjatë Pjekjes
Kur keku është në furrë, ndjesia e padurimit na shtyn të hapim furrën për të parë çfarë po ndodh.
Kjo është e gabuar sepse krijon luhatje temperature që më pas nxisin rënien e kekut.
E Mbushin Tavën Plot
Mbushja e tavës plot e për plot ose zgjedhja e një tave më të vogël do të shkatërrojë ëmbëlsirën tuaj.
Jo vetëm që ëmbëlsira nuk do të piqet por do të derdhet dhe të humbasë shijen e saj.
E Nxjerrin Ëmbëlsirën Nga Furra Para Kohe
Mënyra më e mirë për të dalluar nëse ëmbëlsira është bërë është që të fusni një kunj dhëmbësh në mesin e saj.
Nëse kunji është i pastër, atëherë ëmbëlsira është gati.
E Presin Kekun Pa U Ftohur
I duruari i fituari, thotë populli. Kjo shprehje vlen edhe në rastin e të ëmblave.
Keku për shembull nuk duhet prerë sa është i ngrohtë.
Ftohja nuk duhet përshpejtuar duke e futur kekun në frigorifer sepse do të jetë diçka shokuese për ëmbëlsirën.
Prisni sa të ftohet normalisht dhe shijojeni. /Lajmi.net/