6 vjetori, reflektim dhe detyrim për shtetin

Demokracia parakupton dhe kërkon pjesëmarrje kontributive të gjithësecilit. Arritjet në këtë drejtim, dëshmojnë për hedhjen e themeleve të demokracisë.

Opinion

15/02/2014 13:52

Kosova tashmë po hynë në 6 vjetorin e Pavarësisë. Shteti ynë në këto 6 vite jetë, ndonëse i ri në moshë, mësoi të ndihet e të veproi si subjekt i barazvlershëm me më tepër se 106 shtete të botës; të marrë pjesë dhe të prezentohet me dinjitet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në BE, në PE, në NATO; në samite evropiane e ndërkontinentale.

Politika shtetërore fitoi pjekurinë, besimin, kurajon dhe mbështetjen qytetare dhe ndërkombëtare, për të hyrë në bisedime dhe për të nënshkruar marrëveshje me qeverinë e Beogradit, të simbolit të armikut tonë historik.

Ende pa mbushur 6 vjet, Republika e Kosovës njihet dhe pranohet botërisht si faktor i ndieshëm stabiliteti në rajon, saqë kryeministri Thaçi, firmosësi i Marrëveshjes së 19 prillit në Bruksel, nonimohet për Çmimin Nobël për Paqe. Shteti ynë i ri, qysh në hapat e parë të jetës së tij ka qenë i përgjegjshëm për fatet e vendit dhe të ardhmen e tij. Por përgjegjësi nuk mban vetëm politika, që shpall pavarësinë dhe “ngritë flamurin”, por dhe populli, subjekti dhe objekti determinant i pavarësisë. Përgjegjësi për ecurinë e derisotme dhe të pritme të shtetit mbajnë të gjitha strukturat shtetërore, miqtë dhe aleatët tanë shtetëror, shoqëria civile, por dhe çdo qytetar i Republikës së Kosovës.

Demokracia parakupton dhe kërkon pjesëmarrje kontributive të gjithësecilit. Arritjet në këtë drejtim, dëshmojnë për hedhjen e themeleve të demokracisë. Manifestimet për zbatimin e lirive kushtetuese nga media, arsimi, liria e besimit fetar dhe funksionimi institucional i pluralizmit politik kanë fuqizuar shtetin dhe kanë formësuar e legalizuar botërisht sovranitetin e pushtetit në krejt territorin e Republikës.

Sot, në prag të 6-vjetorit, terësia territoriale dhe kufijtë e Kosovës njihen dhe respektohen botërisht. Hyrje-daljet doganore në kufirin Kosovë- Serbi kanë filluar të realizohen brenda kuadrit të normave ligjore të njohura ndërkombëtarisht. Unifikimi dhe funksionimi i sistemit gjyqësor në veriun e Kosovës është duke gjetur zgjidhje në takimet në mes kreyeministrit Thaçi dhe homologut të tij Daciç në Bruksel. 6- vjetori i pavarësisë na ka dhënë “pjekurinë moshore”, por dhe të drejtën për të marrë atë që meritojmë.

Për mua, objektiva të vitit tonë të 7-të si shtet i pavarur janë e drejta e qytetarëve tanë për të lëvizur lirisht në vendet e BE-së; fillimi sa më shpejt i bisedimeve për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Associmit dhe, së treti, por ndoshta e para nga rëndësia dhe vlera, anëtarësimi i Republikës së Kosovës në OKB. Janë tri objektiva, që pretendohen dhe meritohen të arrihen në vitin tonë të shtatë si shtet.

Besoj në arritjet e derisotshme shtetërore; besoj në drejtësinë e hapave të hedhura shtetërisht në raportet ndërkombëtare si dhe në bisedimet e zhvilluara me Serbinë nën monitorimin e kujdesshëm të BE-së dhe këshillat e vlefshme të SHBA-së; besoj në prosperitetin e pritshëm dhe të shpejtë politik, ekonomik, arsimor, kulturor, social, ndëretnik e ndërfetar të shtetit tepër të ri të Kosovës.

Urime 6 vjetorin e pavarësisë me bindjen që shfaqja e dëshirave të mija përcjell në një masë të konsiderushme aspiratën mbarëqytetare në Kosovë.

 

(Autori është nënktyetar i parë i Kuvendit të Kosovës)