50 euro për adoptim të qenve endacakë nuk ishin kurrfarë zgjidhje për ndaj qytetarëve- Strehimorja komunës i kushtoi rreth 500 milionë euro
Shumë qytetarë përfunduan në spital, si shkak i sulmeve nga qentë endacakë në kryeqytet. Shumë prej këtyre qytetarëve u gjakosën, morën lëndime të thellë e frikë të madhe pikërisht si shkak i këtyre sulmeve që iu bën nga këta qenë endacakë. Viti 2024 madje ishte një prej viteve më problematike në lidhje me këtë situatë.…
Lajme
Shumë qytetarë përfunduan në spital, si shkak i sulmeve nga qentë endacakë në kryeqytet.
Shumë prej këtyre qytetarëve u gjakosën, morën lëndime të thellë e frikë të madhe pikërisht si shkak i këtyre sulmeve që iu bën nga këta qenë endacakë.
Viti 2024 madje ishte një prej viteve më problematike në lidhje me këtë situatë.
Në çdo rrugë, trotuare, parqe e hapësira ku iu desh të lëviznin qytetarët kishte qenë endacakë.
Ngjashëm situate sigurisht se do të jetë edhe në vitin 2025, anipse nga Komuna e Prishtinës vazhdimisht thonin se po bëhet zgjidhja.
Edhe pse askush nuk pranoi të thotë numrin e qenve endacakë që gjenden në Prishtinë, numri i tyre padyshim se arrin shifra tejet të larta.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama po dhuron nga 50 euro në muaj për çdo adoptim të qenve endacakë, por pak kush pranon t’i marrë ata. Qytetarët ende nuk kanë sigurinë që të lëvizin lirshëm nga qentë endacak të cilët ndodhen pothuajse në çdo lagje e rrugë të kryeqytetit.
Deri më tani thuhet se miliona euro janë shpenzuar për zgjidhjen e problemit të qenve endacakë, duke krijuar 23 pika ushqyese për strehimin e tyre, blerjen e çipave pas dyshimeve që qentë po vinë nga komuna të tjera.
E kur janë bërë më shumë se një vit, që kur edhe filloj zbatimi i vendimit për adaptimin e qenve endacakë, në kryeqytet po del të mos jetë sjellë ndonjë përparim në këtë aspekt.
Lidhur me këtë për lajmi.net, nga Komuna e Prishtinës kanë thënë se qe nga fillimi i zbatimit të vendimit për adoptimin e qenve endacakë në nëntor të vitit 2023 edhe deri më tani janë adoptuar 620 prej tyre.
Proces ky për të cilin thonë se është duke vazhduar edhe më tej në bazë të vendimit në fuqi.
Sa i përket subvencionimit prej 50 euro të cilin e jep komuna për të gjithë ata që kanë adoptuar qentë endacakë, nuk ka ndonjë ndryshim në lidhje me vitin paraprak.
Nga Komuna e Prishtinës kanë thënë se numri i pagesave ndryshon në varësi se sa rritet numri i adoptuesve.
“Në bazë të vendimit 01-422/01-134273/23 shuma mujore është caktuar 50€ për një qen, kurse totali i pagesave ndryshon varësisht sa rritet numri i adoptuesve, por nga fillimi i vitit deri ne Nëntor 2024 janë paguar rreth 50,000.00€”, kanë thënë nga komuna.
Sipas tyre në zonën e QKUK-së, ka intervenime të shpeshta për trajtimin e problemit me qentë endacakë, e ku më pas pas çdo intervenimi qentë nuk janë kthyer më në atë zonë por janë shkuar për adoptim.
Mirëpo nuk duket të jetë ofruar ndonjë zgjidhje tjetër pasi që qentë endacakë për shkak të gjetjes së ushqimit kërkojnë kontejnerë nëpër lokacione të ndryshme.
“Në Zonën e QKUK-së kemi intervenuar disa herë për trajtimin e problemit me qentë endacak dhe në çdo intervenim qentë pas trajtimit të tyre nuk janë kthyer në këtë zonë por kanë shkuar në adoptim. Problemi është se qentë vazhdimisht lëvizin dhe prapë vijnë qenë tjerë të cilët ndalen aty për shkak se gjejnë ushqim te kontejnerët, kështu që është e pamundur të ndalet ardhja e tyre prapë nga zona tjera. Mirëpo në vazhdimësi ekipi intervenon te QKUK”, thuhet ndër të tjera në përgjigje.
Ndërkohë në përgjigjen e dhënë për lajmi.net, nga kjo komunë për strehimoren e qenve endacakë kanë thënë se strehimorja është në funksion që nga muaji shtator.
Derisa theksohet se projekti i ndërtimit të hapësirës shtesë për strehim është në fazën finale me kapacitet për rreth 350 qenë.
Ndërsa ndërtimi i kësaj strehimore me infrastrukturën përcjellëse që i bie të jetë rrymë, ujë, kanalizim i ka kushtuar komunës rreth 500 milionë euro.
“Strehimorja nga Shtatori 2024 është në funksion për trajtimin e qenve sipas legjislacionit në fuqi, ku bëhet kapja, vaksinimi, Kastrim/sterilizimi, vendosja e mikroçipit, regjistrimi i tyre dhe sipas kërkesave dërgohen te adoptuesit. Deri më tani procesi i trajtimit ka shkuar në këtë mënyrë trajtimi, përgatitja për adoptim, kështu që nuk ka pasur strehim për kohë të gjatë. Projekti i ndërtimit të hapësirës shtesë për strehim është në fazën finale me kapacitet rreth 350 qenë. Ndërtimi i Strehimores me infrastrukturën përcjellëse, rrymë, ujë kanalizim ka kushtuar rreth 500,000.00€”, thanë ata.
E premtime të mëdha në lidhje me strehimoren e qenve endacakë ishin dhënë shpesh nga liderët e shtetit.
Premtime të tilla kishte bërë edhe kryeministri i vendit Albin Kurti, duke premtuar se do të hartojë strategjinë kombëtare për menaxhimin e qenve endacakë.
Po ashtu, Kryetari i atëhershëm i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, kishte deklaruar se i ka dërguar letra qeverisë dhe presidencës së atëhershme për ta ngritur çështjen në nivel nacional të sigurisë, por, i cili nuk ka marrë përgjigje asnjëherë.
Ndërkaq edhe ish-Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka bërë premtime të tilla, por mision i pa përmbushur.
Qytetarët shpesh kanë qenë të kufizuar në lëvizje, gjë për të cilën hapur kishin akuzuar komunën që s’po bën ende zgjidhje të këtij problemi tejet shqetësues. Edhe më e frikshme situata bëhet kur dihet rreziku që kanoset tek fëmijët. Numri i madh i qenve endacakë në disa raste ua ka pamundësuar atyre edhe vijimin e mësimit, si rrjedhojë e frikës nga sulmet e këtyre qenve endacakë./Lajmi.net/