Osmani pas takimit me Lajçakun: Zgjedhjet në veri të mbahen pa vonesa

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim të dërguarin e BE-së, Miroslav Lajçak. Pas takimit, Vjosa në një komunikatë për shtyp ka treguar për rrjedhën e takimit. Ajo ka thënë se me Lajçakun ka shkruar se në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë. “Në takim…

Lajme

30/01/2024 15:53

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim të dërguarin e BE-së, Miroslav Lajçak.

Pas takimit, Vjosa në një komunikatë për shtyp ka treguar për rrjedhën e takimit.

Ajo ka thënë se me Lajçakun ka shkruar se në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë.

“Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë, me ç’rast Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e Kosovës si palë konstruktive në këtë proces. Presidentja theksoi se marrëveshja e Brukselit e 27 shkurtit 2023 dhe aneksi i Ohrit i 18 marsit 2023 duhet të zbatohen në plotni”, ka shkruar Osmani.

Ajo në takim ka theksuar nevojën për të hequr masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

“Presidentja Osmani ritheksoi nevojën e heqjes së masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të cilat janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog. Në këtë drejtim, ajo përsëriti se Kosova ka ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, duke miratuar edhe udhëzimin administrativ, ndërkaq theksoi pritjet e saj që kjo e drejtë e qytetarëve të realizohet pa vonesa e në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi”, ka shkruar Presidentja.

Ajo ka folur edhe për draftin e Asociacionit, ku ka thënë që institucioni i vetëm që mund ta interpretojë përfundimisht përputhshmërinë e këtij akti me Kushtetutën është Gjykata Kushtetuese e Kosovës, gjersa po ashtu i ka shprehur shqetësimet e saj lidhur me disa dispozita të këtij drafti, të cilat mund të jenë sfiduese gjatë zbatimit në praktikë. /Lajmi.net/