Hamza nga Vitia: Kosova nuk ka më kohë për të humbur
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka zhvilluar një takim me qytetarët e Vitisë, ku ka paraqitur vizionin e tij për zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor të vendit. Gjatë tubimit, Hamza theksoi se Vitia vazhdon të mbetet një nga komunat me potencial të madh zhvillimor, por që sipas tij, ende nuk ka marrë investimet dhe…
Lajme
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka zhvilluar një takim me qytetarët e Vitisë, ku ka paraqitur vizionin e tij për zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor të vendit.
Gjatë tubimit, Hamza theksoi se Vitia vazhdon të mbetet një nga komunat me potencial të madh zhvillimor, por që sipas tij, ende nuk ka marrë investimet dhe projektet infrastrukturore që meriton, transmeton lajmi.net.
Ai veçoi mungesën e një lidhjeje adekuate të qytetit me autostradën “Arbën Xhaferi”, duke e cilësuar këtë si një nga pengesat kryesore për zhvillimin e mëtejshëm të zonës.
Hamza kritikoi edhe qeverinë aktuale, duke thënë se qytetarët po përballen me rritjen e kostos së jetesës, ndërsa institucionet po fokusohen në kalkulime politike dhe elektorale.
“Sot familjet po luftojnë me çmimet e larta dhe vështirësitë ekonomike, ndërsa qeveria merret me pushtet dhe përplasje politike. Qytetarët kërkojnë zgjidhje konkrete dhe një jetë më të mirë, jo retorikë politike”, u shpreh ai.
Në fund, kandidati i PDK-së theksoi se vendi ka nevojë për ndryshim dhe vendimmarrje të shpejtë, duke shtuar se “Kosova nuk ka më kohë për të humbur”./lajmi.net/