Politikanët më të ndjekur në rrjetet sociale-Pacolli në “Facebook” e Kurti në “Instagram”, Krasniqi e Abdixhiku dallojnë për 2 mijë ndjekës

Politikanët kosovarë janë shumë aktiv nëpër rrjete sociale. Për të dhënë qëndrimet e tyre mbi zhvillimet në vend, situatat e krijuara nëpër botë e ndonjëherë edhe thjesht për t’i kundërpërgjigjur kundërshtarëve politik ata zakonisht e shfrytëzojnë mediat sociale. Më të përdorurat nga fytyrat publike, sidomos nga ato në politikë janë rrjetet sociale si Facebook, ish-twitter…

Lajme

03/01/2025 17:56

Politikanët kosovarë janë shumë aktiv nëpër rrjete sociale. Për të dhënë qëndrimet e tyre mbi zhvillimet në vend, situatat e krijuara nëpër botë e ndonjëherë edhe thjesht për t’i kundërpërgjigjur kundërshtarëve politik ata zakonisht e shfrytëzojnë mediat sociale.

Më të përdorurat nga fytyrat publike, sidomos nga ato në politikë janë rrjetet sociale si Facebook, ish-twitter tani i njohur si “X”, Instagram e dikush prej tyre edhe “TikTok”.

Shumë prej zyrtarëve shtetëror madje ndiqen, komentohen e janë shumë të ndjekur në këto profile. Përpos që ndiqen shumë ka edhe shpërndarje, komente e pëlqime të shumta që jepen në postimet që bëjnë.

E edhe këta zyrtarët shtetërorë e kryetar të partive politike në disa raste kanë “fuqizuar” këto profile përmes blerjeve të profileve fallco, apo njohur si “Fake profile” me ndjekës kinse që bëjnë pëlqime, por në fakt janë profile të rrejshme nga shumë anë të botës.

E në bazë të dhënave që shihen hapur pas rrjetit social Facebook prapa nga përdorimi nuk mbetet as rrjeti “Instagram”, i cili ka një ndryshim drastik në lidhje me numrin e ndjekësve. Por cili prej tyre ka më shumë ndjekës?

Politikani që prin me numrin më të madh të ndjekësve në këtë rrjet social është kreu i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli i cili numëron 972 mijë ndjekës në Facebook.

Përpos që ka shumë ndjekës, Pacolli gjithashtu ka edhe shumë pëlqime e komente tek publikimet që bën. Në shumë raste pëlqimet arrijnë mbi 5 mijë në një publikim.

Pacolli këtë platformë e përdori madje edhe për informacione nga takime me dy njerëz shumë të rëndësishëm si Elon Musk e Donald Trump.

Aty profilin përdori edhe për debatet që pati me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci. Uroi ditëlindje e thuri vargje për fëmijët e familjarët e tjerë. Profili i Pacollit pati edhe deklarime për “Mabetex-in” e bizneset e tjera që ka nën udhëheqje.

Pas tij renditet kryeministri i Kosovës , Albin Kurti me 559 mijë ndjekës në Facebook.

Ani pse Kurti është prapa tij dhe ka më pak ndjekës se Pacolli në rrjetet sociale. Postimet e tij pëlqehen mjaftë shumë, anipse numri i ndjekësve rezulton të jetë më i ulët shkruan lajmi.net.

Por edhe pse s’ka ndjekës sa Pacolli, Kurti ka dukshëm numër më të lartë se disa nga politikanët e tjerë në Kosovë.

Hiç më larg se një javë më parë Kurti publikoi një kolazh me foto, ku u prit në Kroaci nga kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenković, presidenti Zoran Milanović, dhe kryetari i Kuvendit, Gordan Jandroković. Vetëm ky publikim ka marrë plotë 10 mijë pëlqime, 367 komente e mbi 251 ndarje.

Ndryshe në një fotografi që ai ka postuar rreth dorëzimit të listës për deputetë ka marrë mbi 26 mijë pëlqime.

Pas tyre në vendin e tretë renditet e para e shtetit Vjosa Osmani e cila ka 420 mijë ndjekës në rrjetin social në Facebook, mirëpo nuk duket të ketë ndonjë aktivitet të lartë të ndjekësve.

Ndryshe nga Pacolli, Osmani duket se profilin e saj zyrtar në Facebook e ka shfrytëzuar më tepër për të promovuar punën e saj.

Osmani në postimin e saj të fundit në Facebook, ka njoftuar se ka qenë në Rohde Island të SHBA-ve në prag të Simpoziumit të 11-të ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Në vendin e katërt tashmë gjendet i pari i AAK-së Ramush Haradinaj me plotë 268 mijë ndjekës, ku për dy vite ka arritur t’i fitoj edhe 6 mijë ndjekës të tjerë.

Në krahasim me presidenten Osmani, Haradinaj llogarinë e tij në Facebook e përdor edhe për të treguar pak nga jeta e tij jashtë politikës dhe profesionit të tij.

Duke ndarë momente nga jeta e përditshme, sidomos nga aktivitetet fizike- Ramush Haradinaj duket se merr më tepër pëlqime aty. Sigurisht se nuk mungojnë as komentet, ku shpesh herë e komplimentojnë për këtë çështje.

Ndërsa në mes Memli Krasniqit e Lumir Abdixhiku nuk ka ndonjë dallim ndërmjet ndjekësve pasi dallimi mes tyre është me nga dy mijë ndjekës.

Kësisoj Memli Krasniqi kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ndiqet nga 84 mijë ndjekës, ndërsa Lumir Abdixhiku kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ndiqet nga 82 mijë ndjekës.

Krasniqi platformën e tij “Facebook”, muajt e fundit e ka shfrytëzuar vetëm rreth punës së kësaj partie dhe asaj individuale.

I pari i PDK-së pavarësisht numrit të ndjekësve ka një interval të njëjtë dhe të baraspeshuar sa i përket pëlqimeve nga ndjekësit e tij.

Postimi i tij i fundit me më së shumti pëlqime është ai kur ai kujtoi kur 10 vite më parë Kosova u anëtarësua si anëtar me të drejta të plota në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, ky postim ka grumbulluar plotë 1.1 mijë pëlqime.

Për dallim me të parin e PDK-së, i cili ka mbi 2 mijë ndjekës më shumë në këtë rrjet social, Abdixhiku kryeson me pëlqime dhe interaktivitet me ndjekësit.

Postimet e tij marrin me mijëra pëlqime.

Dy publikimet e tij të fundit janë një video dhe një kolazh me fotografi nga sheshi i kryeqytetit.

Videoja e fundit ka marrë 5.3 mijë pëlqime, ndërkaq fotografia ka marrë 3.2 mijë pëlqime, ku i pari i LDK-së shihet të jetë i mëse i kënaqur me punën në sheshin e Prishtinës për festat e fundvitit.

Renditje më ndryshe ka në rrjetin social Instagram, pasi ky rrjet tashmë po përdoret nga politikanët edhe për publikime jashtë detyrës së tyre zyrtare.

Në vendin e parë në rrjetin social Instagram gjendet kryeministri i vendit me plotë 228 mijë ndjekës, dhe 1165 foto të publikuara.

Kryeministri duket se edhe në këtë platformë është më “serioz”, pasi postimet e tij janë më tepër nga puna që ai bën dhe takimet që realizon (sidomos jashtë Kosovës).

Kurti pasohet nga Presidentja Vjosa Osmani me 172 mijë ndjekës, dhe 1924 foto të publikuara.

Osmani në muajt e fundit këtë rrjet social e ka foksuuar vetëm në lidhje me detyrën zyrtare të cilën ajo e ka.

Mirëpo profili në Instagram më parë nga ajo shfrytëzohej edhe përtej “zonës” së punës ku ka publikuar fotografi edhe me dy binjaket e saj, një foto mjaft familjare.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Vjosa Osmani (@vjosa.osmani)

Pas Osmanit renditet Behgjet Pacolli kryetari i AKR-së me 164 mijë ndjekës, dhe 791 postime. Pacolli qëndron thuajse me ndjekësit e njëjtë në numër si tek Facebook-u.

Pacolli është tejet aktiv me postimet e tij, por jo vetëm në aspektin politik, ai duket të jetë i “gjithanshëm”.

Postimet e tij kanë ngjyra të ndryshme duke filluar nga politika, sporti, showbizi e udhëtimet e shpeshta që ai ka anembanë botës me aeroplanin e tij privat.

View this post on Instagram

E kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, duket se nuk e ka lëshuar “frontin”as në Instagram pasi gjendet në vendin e katërt me plotë 66.9 mijë ndjekës, mirëpo ka tejkaluar me numër të postimeve të gjithë politikanët me 3.999 foto të publikuara.

Haradinaj rrjetin social “Instagram”, e ka shfrytëzuar përtej profesionit të cilin e ka duke bërë kështu edhe urime dasmash e duke treguar rutinën e tij të përditshme që është vrapimi.

Në vendet e fundit gjenden Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku. Kreu i  PDK-së ndiqet nga 15.1 mijë ndjekës dhe ka 288 postime.

Krasniqi për dallim nga politikanët e tjerë ka vendosur që të bëjë një ndarje mes dy rrjeteve “Facebook” e “Instagram”. Krasniqi në rrjetin social Instagram ka shumë pak publikime nga jeta politike gjithçka e postuar në këtë faqe lidhet me jetën e tij personale.

Duke filluar nga darkat, urime ditëlindjesh. përkujtime e udhëtime, këto janë disa nga momentet të cilat ai ka vendosur t’i shfaq në Instagram.

Tutje kryetari i LDK-së ndiqet nga 12.1 mijë ndjekës dhe ka 583 postime.

Abdixhiku nuk është se ka bërë ndonjë dallim nga Facebook pasi postimet e njëjta hasen në të dyja platformat pa ndonjë ndryshim.

Përveç kësaj Abdixhiku në muajt ka qenë më aktiv me realizimin e videove të prezantimit të kandidatëve të rinj për deputetë nga kjo parti.

Ndryshe ministrja e punëve të jashtme dhe diasporës Donika Gërvalla-Schwarz  dhe deputetja e kuvendit nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, mbeten gratë më të ndjekura në rrjetin social në Facebook.

Gërvalla ndiqet nga 44 mijë ndjekës në Facebook, kurse pasuesja e saj Bajrami ndiqet nga 34 mijë ndjekës.

Ani pse e tejkalon shifrën prej 40 mijë ndjekësve, Gërvalla nuk është se ka ndonjë aktivitet të lartë të ndjekësve të saj. Vlerat e pëlqimeve dhe shikimeve në rrjetin e saj janë të “ulëta”.

Ajo së fundmi ka bërë një reagim kundrejt PDK-së, ku nga ky postim ka marrë vetëm 474 pëlqime, 60 komente e 14 ndarje. 

Ndryshe në raport me pëlqime dhe komente të dyja qëndrojnë në një vijë.

Mirëpo kohët e fundit Bajrami pati marrë goxha vëmendje pas përplasjeve verbale që kishte me ministrin e Financave dhe Transfereve Hekuran Murati. Ndërkaq Bajrami ka qenë e ashpër në fjalën e saj gjatë këtyre muajve me Qeverinë. Kësisoj postimet që pati në reagim me Muratin dhe të tjerët i sollën edhe më shumë ndjekës, komente e reagime./Lajmi.net/