200 milionë eurot e qeverisë amerikane për sektorin e energjisë, Osmani pret zëvendëspresidentin e MCC

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në prag të fillimit zyrtar të Programit Kompakt, ka pritur sot në takim z. Cameron Alford, zëvendëspresident në Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC). Në takim u diskutua për fillimin zyrtar të Programit Kompakt, me ç’rast, Presidentja Osmani theksoi se granti prej mbi 200 milionë euro nga MCC-ja…

Lajme

30/04/2024 10:47

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në prag të fillimit zyrtar të Programit Kompakt, ka pritur sot në takim z. Cameron Alford, zëvendëspresident në Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

Në takim u diskutua për fillimin zyrtar të Programit Kompakt, me ç’rast, Presidentja Osmani theksoi se granti prej mbi 200 milionë euro nga MCC-ja do ta transformojë thellësisht sektorin tonë të energjisë. Tutje, Presidentja Osmani tha se ky program do të japë kontribut strategjik në përmirësimin e infrastrukturës energjetike, fuqizimin e sektorit privat, si dhe do t’i nxisë mundësitë ekonomike për qytetarët e Kosovës.

Në këtë frymë, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen e vazhdueshme të MCC-së, ndërsa theksoi se Programi Kompakt është investimi më i madh në fushën e energjisë dhe shërben si dëshmi e fuqisë së partneritetit Kosovë-SHBA.

Presidentja, po ashtu, theksoi se ky program do ta garantojë një të ardhme energjetike ku gratë do të kenë rol kyç dhe do të jenë kontribuuese aktive në adresimin e sfidave të së ardhmes në fushën e energjisë.