Zemaj pas mbledhjes së LDK-së: Barra për krijimin e institucioneve bie mbi Kurtin, ndarja e pushtetit duhet të jetë e balancuar
Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka deklaruar se përgjegjësia për krijimin e institucioneve të reja i takon Lëvizjes Vetëvendosje si shumicë parlamentare, duke theksuar se partia e tij vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim pas mbledhjes së Grupit Parlamentar. Pas përfundimit të mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së, Zemaj…
Lajme
Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka deklaruar se përgjegjësia për krijimin e institucioneve të reja i takon Lëvizjes Vetëvendosje si shumicë parlamentare, duke theksuar se partia e tij vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim pas mbledhjes së Grupit Parlamentar.
Pas përfundimit të mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së, Zemaj tha se qëllimi mbetet shmangia e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, pasi sipas tij ato nuk janë në interes të qytetarëve.
“Qëllimi mbetet i njëjtë, arsyeja është e njëjtë. Evitimi i shkuarjes në zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk i konvenon qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe barra e përgjegjësisë bie mbi Albin Kurtin si shumicë parlamentare për krijimin e institucioneve të reja”, deklaroi Zemaj.
Ai u shpreh se nuk pret zhvillime të reja gjatë ditës së sotme, duke kujtuar se nesër është caktuar seanca konstituive e Kuvendit.
“Nuk besoj, sepse nesër është thirrur seanca. Sot dita vetëm kalon. Nuk jemi në urgjencë, por jemi në limit të afatit kushtetues, pasi nesër duhet të konstituohet Kuvendi i ri i Republikës së Kosovës dhe më pas rrjedhin edhe afatet kushtetuese për zgjedhjen e Qeverisë dhe të presidentit të ardhshëm”, tha ai.
Zemaj theksoi se LDK-ja mbetet në qëndrimet e saj të bëra publike, duke kërkuar një ndarje të balancuar të pushtetit në rast të një partneriteti qeverisës.
“Qëndrimet e LDK-së janë publike. Ndarja e pushtetit duhet të jetë e balancuar nëse dëshirohet që të ketë partneritet funksional në interes të Republikës së Kosovës. Nëse ka qëllime personale dhe ambicie personale për mbajtjen e pozitave shtetërore duke i shërbyer një partie politike, atëherë Lidhja Demokratike e Kosovës nuk sheh ndonjë mundësi tjetër që të kontribuojë, përpos votës demokratike që e ka në Kuvendin e Kosovës”, u shpreh ai.
Duke komentuar diskutimet për ndarjen e posteve, Zemaj tha se pozita e kryetarit të Kuvendit i takon shumicës parlamentare, ndërsa çështjet që lidhen me ekzekutivin dhe presidencën, sipas tij, duhet të trajtohen në kuadër të një partneriteti të balancuar.
“Tema që është hedhur nga Lëvizja Vetëvendosje në emër të pozitave… pozitat janë kredibile ato që sigurojnë partneritet. Kryetari i Kuvendit i takon shumicës kuvendore edhe me Kushtetutë, por edhe si përfaqësim parlamentar. Ndërsa pjesët e tjera që lidhen me ekzekutivin dhe me kontrollin mbi pushtetin, siç është roli i presidentit, janë mbi nivelin partiak të përfaqësimit”, deklaroi Zemaj. /Lajmi.net/